Shprehje e At Gjergj Fishtës

FJALA FRANK SHKRELI NË SIMPOZIUMIN KUSHTUAR AT GJERGJ FISHTËS

                                    Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork,

                                     Salla Nëna Tereze, 2 Nëntor, 2019

Përshëndetje…Falënderimet e mia bashk organizatorëve të këtij simpoziumi,  Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skendërbej” dhe Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës –ku 50-vjetë më parë kam hedhur hapat e parë drejtë pjekurisë.   

Një falënderim i veçant i shkon famullitarit Dom Pjetër Popaj, i cili në frymën më fishtjane, që është e mundur, gjithmonë vepron – pa dallim feje a krahine — bazuar në fjalët që na kanë lënë trashëgimi At Gjergj Fishta: “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”.  Të gjithë jemi krenar me Ju, Dom Pjetër!

–Historia moderne ka shënuar rolin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova në marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën në veçanti, por edhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi.  Historia e fillim shekullit të kaluar, ka vulosur përgjithmonë rolin që ka luajtur Peshkop Fan Noli në takimin me Presidentin Wilson, në mbështetje të Shqipërisë.

Por shumë pak njerëz dinë për vizitën tre mujore të At Gjergj Fishtës në Amerikë në vitin 1922.  Historia zyrtare shqiptare, me sa kam parë, nuk e përmend këtë vizitë, as rolin që ka luajtur At Gjergj Fishta në njohjen diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.

Falë urrejtjes, harresës dhe anashkalimit zyrtar të At Gjergj Fishtës, për pothuaj një shekull nga regjimi komunist – përfshir edhe 30-vjet-post-komunizëm — pak njerëz mund të dinë kontributin e çmueshëm që Gjergj Fishta ka dhënë në atë që sot e quajmë “lobim”, në mbrojtje të interesave kombëtare.

Vizita e Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva: një, që të “kujdesej për interesat e Shqipërisë”, lobim pra për njohjen diplomatike të Shqipërisë nga Washingtoni, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej edhe me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare të asaj kohe në Amerikë.   Sipas të gjitha gjasave takimi me komunitetin shqiptaro-amerikan kishte shkuar shumë mirë për Fishtën, sa që në një letër që i kishte dërguar atij Faik Konica nga Bostoni, i shkruante Fishtës, ndë të tjera: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat.  Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor, “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-1922, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe për takimet që kishte zhvilluar me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit të njohur amerikan Godfried Shilling, i cili në atë kohë thuhet se gëzonte influencë të madhe në qarqet diplomatike të Washintonit.

Fishta shkruan: “Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës.  “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore), “i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’ Amerikës”, porosit Fishta në letrën e tij drejtuar At Pal Dodajt.

Në faqen tjetër të letrës, sipas Dodajt, Fishta është shprehur se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës.   Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë — të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare—ata, të cilët, me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni, At Pal Dodajt.

Kjo deklaratë e Fishtës përputhet me vizitën e tij në Washington dhe me të dhënat e Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me datën e njohjes zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tre muaj më vonë.   Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik , 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”  

Sipas Zyrës së Historianit të (DASH) njohja zyrtare e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy kombeve tona, më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqsuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, thekësohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

Besoj se At Gjergj Fishta meriton sado pak kredi nga historia për njohjen zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në ato që dijmë në lidhje me vizitën e tij në Amerikë ndërsa nevojiten më shumë hulumtime për ato që nuk dimë ende për këtë vizitë.

Thonë se njerëzit e mëdhej të një Kombi vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.   Fatkeqsisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën, madje as sot 30-vjet mbas shembjes së-komunizmit.

Një bashkohas i tij, At Benedikt Dema është shprehur pas vdekjes së At Gjergj Fishtës se “Shqypnia do të nisë me e çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.   Duke marrë parasyshë situatën politike anë e mbanë trojeve shqiptare, besoj se kjo është koha dhe tashti është momenti, për ndërmjetësimin e autoritetit dhe të vlerave të At Gjergj Fishtës.

Fatkeqsisht, Atdheu i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishin programi i jetës së tij: “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për të prirë në luftime në mbrojtje të interesave të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit”, ka shkruar Benedikt Dema, duke shpresuar njëkohësisht se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar këtij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshme e të denjë, për një komb të përparuem”.

Të nderuar: Sot, me 2 Nëntor shënohet, si çdo vit, Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve.  Fishta, përveç të tjerash, ishte edhe gazetar e publicist.  Sot, në këtë ditë, bëjmë thirrje për lirinë e plotë të fjalës së lirë për At Gjergj Fishtën dhe që t’i jepet fund dhunës psikologjike ndaj kujtimit të tij.

Fatkeqisht, At Gjergj Fishta trajtohet sot nga një gjysëm censurë: lejohen botimet e veprave të tija, por zyrtarisht nuk pranohet nga institucionet shtetërore. 

 Pa At Gjergj Fishtën pra, pa vlerat kombëtare dhe pa idealet e lirisë që ai përfaqëson, Shqipëria nuk është e përparuar dhe, rrjedhimisht, pa At Gjergj Fishtën nuk është as Shqipëria as Kosova që duam!   Pa Fishtën edhe rruga e Kombit shqiptar drejt Evropës është e pamundur.  Gjithnjë bëjmë pyetjen se kur do t’i vijë radha At Gjergj Fishtës që, zyrtarisht, të zejë vendin që meriton dhe që i takon në historinë dhe në kulturën e Kombit shqiptar?  Uroj që ky simpozium të jetë një hap i vogël drejt këtij objektivi madhor për të ardhmen e Kombit Shqiptar.

Si një shënim post scriptum – dy lajme të mira për Fishtën.  Një, kohët e fundit është përkthyer Lahuta e Malcis në frëngjisht, duke iu bashkuar kështu përkthimeve ekzistuese në anglisht, italisht dhe gjermanisht.  Dhe dy, për të qenë i korrekt, pasi gjatë viteve kam qenë shumë kritik ndaj autoriteteve të Tiranës në lidhje me Fishtën — lajmi tjetër i mirë është se gjatë një ceremonie në Lezhë, me rastin e 148 vjetorit të lindjes së Poetit Kombëtar, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, kohët e fundit, njoftuan se, më në fund, është marrë vendimi zyrtar për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës!  Lajm shumë i mirë, megjithse i vonuar.  Me padurim presim realizimin e këtij projekti!

U falemnderit!

By admini