(Në 20-vjetorin e vdekjes)
Dr. Nail Draga
Vetëm në kohën e pluralizmit u krijuan kushtet optimale për të
organizuar veprimtari kulturore apo përkujtimore për personalitete të
anatemuara. Në ketë aspekt meritë të veçantë kanë subjektet kulturore nga
shoqëria civile, sepse ata ishin nismetarët e shpalosjes së vlerave të përgjithëshme
kulturore.
Dhe në rrethana të reja veprimtaria e dom Simon Filipaj(1925-1999) nga viti
1990 e më pas i është prezantuar opinionit të gjerë kryesisht nga subjektet e
shoqërisë civile ku vend meritor zën “Art Club-i” i cili pati organizuar
tribunën e parë kulturore në Ulqin me ketë figurë të vlerave kulturore dhe
intelektuale.
1. Prezantimi i parë para opinionit vendas
Nga dita e themelimit pikërisht me 28.12.1990, Shoqata e Artistëve
dhe e Intelektualëve”ART CLUB”-i si mision parësor ka pasur shpalimin e vlerave
të përgjithshme nga kultura shqiptare në ketë mjedis dhe më gjërë. Ne ketë
aspekt kishim parasysh figurat e anatemura nga sistemi monist që ishin të
panjohura në qytetin e Ulqinit por edhe më gjerë. Dhe pas veprimtarisë së parë
kushtuar jetës dhe veprës së hafiz Ali Ulqinakut, që është mbajtur me
15.2.1992, radhën e kishte një personalitet i rrallë i kulturës shqiptare i
cili ishte në mesin tonë. Fjala ishte për famullitarin, krijuesin, përkthyesin,
folkloristin dhe intelektualin e shquar Dom Simon Filipaj.
Data 20 mars 1992, është datë e shënuar për OJQ ”Art Club”, sepse për të parën
herë organizoj prezantimin publik të dom Simon Filipaj opinionit vendas.
Veprimtaria është mbajtur në sallën e madhe të KK të Ulqinit me një pjesëmarrje
të madhe te të pranishmëve. Por nuk është për të çuditur një pjesëmarrje e
tillë sepse për të parën herë qytetarët e Ulqinit dhe të rrethinës kishin
rastin të dëgjojnë drejtpërdrejt imzot dom
Simon Filipaj në lidhje mbi veprimtarinë e tij jetësore, krijuese dhe
liturgjike.
Në një bisedë që kam pasur me të nderuarin dom Simonin pas këtij takimi ai
ishte i emocionuar shumë që ishte e arsyeshme sepse për të parën herë pati
mundësi për t’iu prezantuar opinionit vendas.
Por me ketë rast duhet të përkujtoj opinionin e gjerë, se gjatë vitit 1991 dom
Simoni ishte i semurë dhe ka qenë shtruar disa muaj në spitalin e Cetinës. Duke
marrë parasysh se ai e kishte përkthyer Biblën në shqip por në sajë të
rrethanave ende ishte e pabotuar në shqip, kishte arsye që të ishte i
shqetësuar dhe nga spitali i shkruante dr. dom Lush Gjergjit në Kosovë”… luteni të bëni çmos botimin e Mesharit
dhe të Biblës. Mos lejoni të shkoj në dhe pa i pasë parë”(28.2.1992). Por
po ashtu Lush Gjergjit i lenë edhe porosinë se “… nëse vdes para botimit të Biblës, atëherë kopjen e parë ma bie te
varri im”. Ndërsa Lush Gjergji i përgjigjet se “…ne Biblën nuk e botojmë për varre, por për të gjallë. Ajo do të jetë
përmendorja më e lavdishme e jotja, e kishës sonë për mbarë popullin shqiptar”.
2. Shpërblimi Vjetor i Art Club-it për vitin 1992
Nga viti 1991, “Art Club-i”, filloj për të ndarë çmimin vjetor për të arriturat në fushën e shkencës, artit dhe të kulturës. Ishte kjo një nismë fisnike për të vlerësuar punën profesionale dhe pasionin e krijuesve të fushave të ndryshme. Për vitin 1992, u formua Komisioni i shoqatës për ndrajën e Shpërblimit vjetor me kryetar të ndjerin prof.Bajram Rexha. Pas vlerësimit të kandidaturave të ndryshme komisioni në unanimitet vendosi që shpërblimi vjetor për vitin 1992 ti jepet dom Simon Filipaj për veprimtarinë në fushën e përkthimeve liturgjike në gjuhën shqipe dhe kontributin e dhënë kulturës kombëtare shqiptare.
3. Pjesëmarrës në simpoziumin shkencor
Duke dëshiruar që të shënojmë një përvjetor të kulturës sonë me
rastin e 440-vjetrorit të botimit të librit të parë shqip “Art Club-i”
organizoj simpoziumin me titull “Meshari
i Gjon Buzukut-Monument i Kulturës Shqiptare (1555-1995)” me 19-20 maj 1995
në Ulqin.
Në këtë simpozium ka marrë pjesë edhe dom Simon Filipaj me kumtesën me titull ”Meshari-doracak kulti-vështirësitë e
përkthyesit dhe të shtjellimit kritik “. Në këtë kumtesë profesionale nga
aspekti i përkthimit në fillim na paraqet raportet tona shoqërore në të kalurën
dhe tash ku duhet cituar në mes tjerash “…fati
i mirë historik për ne ka vijuar të na bej leqe e dredha, herë më të mëdha e
herë më të vogla, kështu qe nëse s‘kemi marrë vetë në thua, të tjerët na e kanë
qitur cungun e rrëzimit ndër këmbë, nëse na ka lënë në qetësi i huaji, na ka
marrë në pikë të qafës i veti”(1995).
Nuk ka dilemë së këto vlerësime nuk ka dilemë se janë aktuale si më parë edhe
sot në mesin tonë.
4. Takimi komemorativ për Nënë Terezën
Lajmi i vdekjes së Nënë Terezës me 6 shtator 1997, jehoi në tërë
hapësirën mbarëkombëtare. Andaj duke çmuar lart veprimtarinë e saj humanitare
anë e kënd botës, edhe ne në Ulqin vendosëm që të mbajmë një takim komemorativ.
Organizimi i takimit u bë nga “Art Club-i” ku fillimisht kemi vendosur një
shpallje në hyrje të Komunës së Ulqinit, për të gjithë të interesuarit. Takimi
u mbajt në sallën e madhe të KK të Ulqinit me 9 shtator 1997. Pa hezitim fjalën
e rastit kemi vendosur që ta mbaj dom Simon Filipaj, si meshtari me autoritativ
në ketë mjedis, i cili këtë propozim e pranoj më kënaqësi. Ishte ky një
organizim shumë domëthënës sepse mblodhi numër të konsideruar pjesëmarrësish,
duke dëshmuar se ajo është e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh
përkatësinë konfesionale. Duhet cekur se më atë rast nga të gjithë të
pranishmit u mirëprit propozimi që një shesh apo rrugë në qytetin e Ulqinit të
mbajë emrin e saj.
5. Përshëndetje me rastin e Shënimit jubilar të LSHP
Botimi i librit të prof.Riza Rexhës “Ulqini në vitet e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”, në kuadër të edicionit të Art Club-it në vitin 1998, paraqiste rast të volitshëm për shënimin e kësaj ngjarjeje madhore nga historia e popullit tonë. Andaj, me rastin e përurimit të këtij libri vendosem të shënojmë në mënyrë solemne këte jubile pra 120-vjetorin e themelimit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Veprimtaria u mbajt në Ulqin në hotelin Albatros me 11.12.1998. Një ditë para së të mbahet kjo veprimtari në shënj respekti vendosa që të ftoj edhe dom Simon Filipaj, ku në biseden telefonike që kam pasur me të ne mes tjerash i tregova qellimin e kësaj thirrjeje, duke e ftuar që të marrë pjesë në ketë veprimtari e cila është e para e këtij lloji që organizohet në qytetin e Ulqinit. Ai u gëzu shumë për ftesën dhe për ketë veprimtari ku në mes tjerash tha se më kënaqësi do të isha me ju, por jam i sëmurë dhe gjindem në shtrat, andaj e kam të pamundur të vi. Pasi u falendëru për ftesën, porositi që të përshëndetën të gjithë të pranishmit pjesëmarrës në ketë takim. Dhe unë ketë mesash iu përcolla të gjithë të pranishmëve të cilët e përshëndetën më duartrokitje.
6. Shënohet 75-vjetori i lindjes
Me 1 maj 2000, Shoqatat ”Art Club” dhe “Dom Gjon Buzuku” organizuan një manifestim përkujtimor me rastin e 75-vjetorit të lindjes së dom simon Filipaj. Salla e 0bjektit “Hollegro” në Ulqin, ishte e vogël për të pranuar të gjithë pjesëmarrësit. Ishte kjo një mbrëmje akademike, ku përveç referuesve si Riza Rexha, Nail Draga, Ismail Doda, Haxhi Shabani, Luigj Shkreli etj. U prezantuan edhe pika të veçanta muzikore të organizuara enkas për ketë veprimtari nga kori i kishës së Shën Gjergjit. Materialet e prezantuara nga kjo veprimtari janë botuar në revistën LEMBA nr.3-4/2000.
Duke vlerësuar lart veprimtarinë klerikale e kulturore të dom Simon Filipaj, me rastin e dhjetë vjetorit të botimit të Biblës në shqip(1994), në organizim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë më 24 maj 2004, është mbajtur Seminari shkencor me titull ”Bibla shqip dhe tradita”. Në seminar 13 studiuesit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Zvicra dhe Italia, kanë trajtuar vlerat e përgjithshme gjuhësore e kulturore në përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe.
Ndërsa me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së tij në Tiranë, më 11 nëntor 2009, në organizim të Qendrës së Studimeve Albanologjike u mbajt Konferenca shkencore “Filipaj dhe Bibla shqip” ku janë prezantuar 11 kumtesa nga studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali I Zi dhe Italia, të cilat janë botuar në vëllimin “Bibla shqip dhe Filipaj”, (Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti Filozofik dhe Teologjik, EB”Gjergj Fishta”, Lezhë, 2010).
Përfundim
Në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e dom Simon Filipajt edhe
pas vitit 2000, janë organizuar takime të ndryshme përkujtimore apo shkencore
nga insitucionet shkencore e kulturore, qofshin ata shtetërore apo nga shoqëria
civile, duke vlerësuar lartë veprimtarinë e tij si përkthyes të literaturës
liturgjike. Emri dhe puna e tij me plot pasion dhe dashuri me kalimin e kohës
nuk zbehën por marrin vlera të veçanta, duke e rënditur ate në plejaden e
figurave të rëndësishme kombëtare. Në ketë vlerësim duhet cekur edhe vendimin e
marrë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit me 12.5.2002, ku pushteti vendor vendosi
që një rrugë të emërtohet me emrin Simon Filipaj.
Në korrik të vitit 2002 një grup intelektualësh nga Ulqini dhe rrethina
themeloi Shoqatën “Dom Simon Filipaj”
me seli në Ulqin, e cila kishte venë për detyrë që të ruajë dhe përhapë
veprimtarinë e tij. Në fillim të vitit 2003 kjo shoqatë në bashkëpunim me
Shoqatën “Dom Gjon Buzuku” realizoi
filimin dokumentar “Dorarti Gojëmbël
” kushtuar jetës dhe vepres së dom Simon Filipaj ideuar dhe realizuar nga dom
Nikë Ukgjini.
Poashtu duhet cekur edhe dekorimin e tij nga ana e Presidentit të Republikës së
Shqipërisë z.Alfred Moisiu me Dekretin nr.2458 të datës 8.6.2004 ku dekorohet
me medaljen “Naim Frashëri i artë”(pas
vdekjes).
Në nderim të figures së tij, bashkëkombasit tanë në Nju Jork nga komuna e Ulqinit, në vitin 2005, kanë themeluar Fondacionin “Dom Simon Filipaj”, ndërsa për ta përjetësuar emrin e tij, me rastin e 15-vjetorit të vdekjës së tij, ata kanë mbledhur 36.000 dollarë, dhe kanë ngritur shtatorën e tij, me 2 shtator 2014, vepër e skulptorit Kreshnik Gjika, në oborrin e famullisë së Shën Gjergjit, aty ku ka përkthyer Biblën në gjuhën shqipe.
Përfundimisht në sajë të punës krijuese e ate kryesisht në fushën e përkthimeve
të literaturës liturgjike dom Simon Filipaj bën pjesë në plejadën e figurave të
shquara kombëtare, ku edhe pas dy dekadave
nga vdekja e tij studiues të profileve të ndryshme shkencore e konsiderojnë si
personalitet të përmasave mbarëkombëtare.
(Lexuar në Shën Gjergj, Ulqin, më 21 shtator 2019)
(Shtatorja e Dom Simon Filipaj në Shën Gjergj, Ulqin, inaguruar më 2 shtator 2014)