Shkruan: Esat Mehmeti

Ulqini ka shumë vende të bukura natyrore, në të cilat Zoti  ka bërë mrekulli, duke krijuar plazhe të bukura, që ndoshta, njeriu i gjen rrallë në botë, por që dora e njeriut dhe  politika po e shkatërrojnë !

Ulqini nga aspekti hapësinor është një vend i vogël, por gjeografikisht është shumë heterogjen dhe tërheqës. Ulqini ka pozitë të volitshme gjeografike dhe disponon me resurse të rëndësishme natyrore, si me klimë, florë dhe faunë të përshtatshme dhe të shumëllojshme. Pozita gjeografike paraqet përparësinë natyrore të saj. Resurset natyrore që ende nuk janë mjaft të gjurmuara, paraqesin një potencial të lakmueshëm që me një qasje multidisiplinare mund të krijojë perspektiva të reja për zhvillim.

Turizmi është  resursi kryesor i këtij vendi. Plazhet e Ulqinit me një bukuri të rrallë natyrore, me rërë të imët dhe të pastër, tërheqin vemendjen e çdo vizitori. Këto, jo vetëm për shkak të bukurisë mahnitëse që kanë, por edhe për vetitë e tyre shëruese, që shpesh nga banorët e vendit dhe të huajt, vlerësohen si “ “plazhi i dermanit”. Në mungesë të mbështetjes së zhvillimit të bujqësisë, në kuadër të strukturës së tokës së punueshme, arat dhe vreshtat kanë një tendencë zvogëlimi, kurse livadhet kanë një rritje të vazhdueshme, që dëshmon për shfrytëzimin ekstensiv të tokës, ndërsa në fondin  pyjor dominojnë pyjet e ulëta.

Njerëzit kanë nevojë që ta ndjejnë thellë në shpirt natyrën ashtu  siç e ka krijuar Zoti, me disa ndryshime të thjeshta e të domosdoshme. Shpesh pyesim vehten : a nuk dimë, apo më qëllim nuk duam që ta drejtojmë këtë vend si duhet ? !  Në shumë  vende të botës së zhvilluar, por edhe ata në zhvillim, turizmin e kanë të rregulluar. Aty dora e njeriut ka bërë ndryshime të thella, duke bërë që vendet e tilla të duken sa më bukur, vetëm e vetëm të tërheqin sa më shumë vizitorë, më qëllim që përmes turizmit të forcohen ekonomikisht. Ndërsa në Ulqin, çdo gjë e bukur në natyrë që është krijuar nga Zoti, aty ku e ka prekur dora e njeriut (politika), po shkatërrohet !. E gjithë kjo vjen si pasojë e indiferentizmit  të njerëzve me pushtet, që nuk  kanë asgjë të përbashkët me turizmin, me zhvillimin e vendit !. Ky politizim i bukurive të natyrës në këtë vend, mesiguri  iu shkon përshtati vetëm atyre që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Andaj, shteti duhet të shtrijë dorë dhe të bëj ndryshime pozitive, për ta zhvilluar  turizmin në këtë pjesë të bregdetit. Ulqini përmes zhvillimit të turizmit do të kishte sukses edhe në arenën ndërkombëtare duke promovuar vlerat e vërteta në shumë fusha të tjera të rëndësishme duke tërhequr investime ndërkombëtare dhe hapur rrugë zhvillimit.

Shoqëria jonë sot është në një krizë të thellë morale, profesionale, ekonomike dhe politike. Pra,të gjitha të këqijat në këtë vend, janë pasojë e politikës së dështuar. Andaj, këta operatorë  të politikës  sot, me këtë  kurs politik, kanë dështuar tërësisht segmentin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të shoqërisë në përgjithësi. Klasa politike e mbushur me kuadro injorantë dhe  të paaftë, gjithnjë mendon të sundojnë, e jo të qeverisin vendin ashtu siç duhet !.

               Politika  po tregohet e dëmshme, e pamëshirshme dhe e papërgjegjshme !

                E vërtetë është se politika sot është aktiviteti më i madh që zhvillohet në shoqëri, pavarësisht se ajo nuk prodhon asgjë, por vetëm  pretendon se zgjidh shumë gjë e gjithçka. Politika sot, jo vetëm që nuk po zgjidh probleme, por ajo gjithnjë krijon probleme të reja.Këtu politika është vetë shqetësimi, është problemi më i madh që ka sot individi dhe shoqëria në përgjithësi. Vetë fakti se shoqëria jonë është shumë e politizuar, e parcelizuar nëpër shumë parti politike  dhe shoqata, që fatkeqësisht ,pothuajse shumica e tyre janë  të politizuara dhe të angazhuara si reparte  politike. Por, politika e cila me paturpësi manipulon  me varfërinë dhe me papunësinë  e të rinjve, duke dhënë premtime të rrejshme vetëm në kohën e fushatave zgjedhore sa për t’u marrë atyre votën dhe pastaj ata harrohen, braktisen, dhe askush më nuk kujtohet për ta; për bukën e tyre, për punësimin, shëndetin, arsimimin, strehimin  etj. Të rinjtë kërkojnë hapësirë për promovimin e ideve. Andaj, në mungesë të  gjithë këtyre, detyrohen të marrin rrugën e mundimshme dhe të pasigurtë të  emigrimit.

 Fakti tjetër është së politika shpeshherë spekulon dhe me retorikën patriotike për mashtrim sa për të larguar vëmendjen e opinionit kombëtar prej problemeve jetike. Këto mjaftojnë për të treguar se politika është problemi më i madh që ka shoqëria sot. Kur gjithçka varet  nga politika dhe  për derisa të gjitha  gjërat keqfunksionojnë  dhe kur përfitues jane politika dhe politikanët , si dhe ato pranë tyre, kjo tregon realitetin, se problemi më i madh për ne është politika me politikanët që e drejtojnë këtë vend.

Si përfundim, situata politike dhe ekonomike  në këtë vend është në gjendje dëshpëruese. Pushteti realisht qëndron në këmbë vetëm formalisht. Politika po tregohet e dëmshme, e pamëshirëshme dhe me  një papërgjegjshmëri totale. Pra, kjo është me pak fjalë politika që drejton këtë vend .

By admini