( Në prag të zgjedhjeve lokale në komunën e Tuzit)
Nga Qani Osmani
Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale për komunën e Tuzit, propaganda politike mundohet për të identifikuar paraprakisht fituesit dhe humbësit. Paraprakisht, bëhen analiza të sipërfaqshme, të njëanshme, apo dhe tendencioze në funksion të retorikës për të fituar sa më shumë pikë në elektorat. Megjithatë, për këtë pjesë le të merren ata të cilët janë më në brendi të kombinatorikave politike. Çështja që parashtohet ka të bëj me diçka tjetër, por që lidhet ngushtësisht me proceset zgjedhore. E kam fjalën për zgjedhjet e lira e të ndershme në kuptimin që vota duhet të jetë e shenjtë e pamanipulueshme dhe elektorati të japë verdiktin e tij sipas bindjeve dhe jo sipas logjikës së forcës dhe presionit, apo sipas metodave manipulative, siç mund të jetë një punësim, një rrugë e shtruar me asfalt, apo pa dashur ta banalizoj për një thes miell ashtu siç bënë partia politike (PDS) me dekada nëpërmjet makinerisë së fuqishme me të gjitha strukturat e pushtetit, nëpërmjet kandidatëve të vet, pa vetëdije kombëtare, që kanë barkun plot por kokat bosh, të mbuluar me parullën e konceptit qytetar, ta sundojë popullatën shqiptare në Mal të Zi.
Në komunën e Tuzit me shumicë shqiptare me 3 mars beteja politike do të zhvillohet mes shqiptarëve me vetëdije kombëtare, me vullnet dhe përkushtim për ndryshime e reforma dhe shqiptarëve të etshëm vetëm për pushtet, që dëshirojn ta mbajnë këtë popull edhe më tej të nëpërkëmbur dhe të nënshtruar, pa liri dhe të drejta, si pakicë kombëtare të nënshtruar dhe të diskriminuar. Qytetarët shqiptarë me vetëdije kombëtare, si asnjëher më parë duhet ta thonë fjalën e tyre në mënyrë të guximshme e plebishtare duke mbështetur dhe votuar koalicionin shqiptar “Malësia na bashkon” duke treguar fuqishëm se janë për ndryshime e reforma, për më shumë liri dhe të drejta. Dhe si të tillë tu tregojnë kundërshtarëve politik se populli që din t’i rezistoj makinerisë së fuqishme propaganduese, shantazheve, kushtëzimeve dhe kërcënimeve të këtij pushteti me të gjitha strukturat e tij, meriton një të ardhme më të lumtur!
Vota nuk është mall këmbimi, as monedhë kusuritje. Ajo është përgjegjësi dhe çelës i dyerve për ndryshime. Fakti që partia politike që ushtroi pushtetin qëndror për tri dekada në këtë shtet ndërtoi piramida dhe metropole në shumë vende të Malit të Zi, dhe anashkaloi vendbanimet shqiptare, duke i lënë të shkretuara, duke shkatërruar gjithçka me vlerë, duke detyruar rininë shqiptare të braktisë vendlindjen e tyre nuk meriton mbështetje, nuk ka të drejtë politike e aq më pak morale të kërkoj votën shqiptare. Kjo parti politike, duke qenë në pushtet, manipuloi me kërkesat e shqiptarëve në përgjithsi, e në këtë rast edhe me komunën e Tuzit.
Të nderuar qytetar shqiptar të Malësisë, është fakt i pamohueshëm se partitë politike shqiptare në Mal të Zi në të kaluarën kanë pasur shumë mëkate dhe defekte të manifestuara. Dobësit e tyre nuk mund të shihen të shkëputura nga dobësitë e elektoratit shqiptar, që i ka zgjedhur ata, as nga dobësit e klasës intelektuale dhe e qytetarëve shqiptar dhe kjo ka ndikuar në masë të madhe në mosrealizimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, por nuk mund të zgjidhet kurrsesi nga partia(PDS-ja) që për tri dekada ushtroi pushtetin shtetëror duke i konsideruar shqiptarët etnik autokton si qytetar të rendit të dytë.
Votuesit shqiptar të komunës së Tuzit duhet ta kenë të qartë se duke votuar PDS-në dhe disa parti të tjera të ashtuquajtura qytetare që janë në pushtet, heqin dorë vullnetarisht nga Malësia, nga të drejtat kombëtare dhe nga identiteti i tyre kombëtar. Ata vetë humbasin të drejtën morale të kërkojnë trajtim të barabartë dhe zhvillim të qytetit të tyre. Andaj edhe kërkesat e udhëheqësve të PDS-së për mbështetje nuk është asgjë tjetër përpos një thirje dhe mbështetje që ta “plaçkisin dhe ta përçajnë” Malësinë.
Fenomeni i deritanishëm negativ i derdhjes së votave shqiptare në partitë malazeze është një fenomen, i cili po të tolerohet e të neglizhohet do të ketë pasoja të rënda për të drejtat kombëtare dhe për statusin e popullit shqiptar në Mal të Zi. Vota shqiptare duhet inponuar nëpërmjet faktorit politik shqiptar, qeverisë dhe partive në pushtet se vetëm kështu do të ketë peshë në realizimin e kërkesave dhe aspiratave të popullit shqiptar. Avancimi i statusit kombëtar të popullit shqiptar në Mal të Zi do të sjellë përmisimin e statusit të tyre qytetar dhe jo e kundërta. Vota është e shqiptarëve dhe duhet të mbetet te partitë politike shqiptare.
Sidoqoftë, me 3 mars gjithçka do të varet nga votuesit shqiptar të malësisë. Dhe më shkurt, ata do duhet në këto zgjedhje historike lokale të përgjigjen, se a janë pro vetëvetes apo pro atyre që duan ta “asgjesojnë dhe ta kolonizojnë Malësinë heroike”. Andaj edhe duhet thënë shkurt e shqip: të votosh për partitë politike shqiptare nuk është vetëm përcaktim partiak, politik e kombëtar, por edhe legjitimim qytetar e civilizues. Pra, ky është përcaktim që të rreshton mes kundërshtarëve të mendësisë vasale të disa shqipfolësve si dhe kundër bindjes së drejtuesve të pushtetit (PDS-së) se kultura politike e shqiptarëve autokton të Malësisë nuk dallon shumë nga ajo e popujve endacak që do të thotë: “ gjithmonë t’i nënshtrohesh më të fortit, e të pushtetshmit!”, që kur gjatë historis nuk ka qenë veti e këtij populli trim, fisnik e bujar.
Qytetar të respektuar të Malësisë, para se hidhni ngjyrë në letër e të rrethoni opcionin tuaj të preferuar kthehuni në histori dhe kujtoni të kaluarën, kujtoni dhe mendoni për të ardhmen, sepse vota është e shenjtë, nga ajo mvaret një ardhmëri, një ditë e re që ju do të vendosni a do të jetë me diell e ditë e frytshme apo ditë e kthyer në natë e mbuluar nga errësira e terri. Një votë do të caktoj mbi jetën e fëmijëve tuaj, mbi jetën tuaj. Andaj mendoni dhe veproni! Para se të votoni mendoni për gjaqet e derdhura, për të kaluarën që ka lënë gjurmë të cilat do të mbesin deri në pafundësi, gjurmë të cilat kur kujtohen të bëjnë të derdhish lot. Vota nuk është një vend pune, nuk është një shumë e vogël parash e as “Hajtë se nuk prish punë vota ime, do t’ia jap kujt të jete”, por është një grusht gjaku i derdhur me shekuj për të lindur dielli që deri sot rri i fshehur në këto treva për shqiptarët.
Malësia ka nevojë për një Tuz më të fortë, të sigurtë për ardhmërin e saj. Një pushtet që do ngre zërin lartë për problemet që e shqetësojnë, zë i cili do të dëgjohet nga të gjithë ata që i shërbejnë këtij qyteti. Tuzianët kanë nevojë jo për dyer të mbyllura dhe vesh të shurdhër por për menaxhment të mirëfilltë dhe të sinkronizuar me nevojat e tyre. Malësia ka nevojë për një pushtet që mendon rreth të ardhmes me vizion dhe strategji të qartë.
Prandaj, në prag të këtyre zgjedhjeve, elektorati shqiptar i Malësisë duhet ta kuptojë rëndësinë e votës së vet dhe mos të bie pre e manipulimeve të ndryshme, nuk ka monedha, kushtëzime dhe premtime të kota me të cilat mund të blehet dinjiteti dhe bindja e lirë e qytetarëve. Andaj me 3 mars mos lejoni që vota juaj të shkoj kot, të unifikoheni rreth koalicionit shqiptar “MALËSIA NA BASHKON” votoni numrin 5, votoni opcionin e vërtetë të gjithë së bashku të shpëtojmë Malësinë.
(Autori është anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Mal të Zi)