Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Gusht 2018
Gazeta franceze, “La Voix du combattant”, ka botuar, të shtunën e 11 qershorit 1938, në faqen n°2, një shkrim për nënën e Ahmet Zogut, ku ka vënë në pah cilësitë e saj si prind dhe si stratege.
Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Si e ëma dhe i biri.
“Në kujtim të martesës së Mbretit Zog, mbret me karrierë të shquar, një seri pullash të reja poste dolën në Shqipëri.
Dhe meqë flitet ende për këtë sovran të ri, i cili sapo ka bërë një martesë të bukur dashurie, le të kujtojmë pak nënën e tij, Sadijen, mbretëreshën e Shqipërisë, një grua energjike e stilit romak të antikitetit.
Në vitin 1920, Shqipëria u pushtua deri në luginën e Matit nga forcat jugosllave, të cilat shkatërruan kështjellën e vjetër familjare të Zogut, një kështjellë (kullë) e vendosur në anën e malit, ashtu si një fole shqiponje, ndërsa Zogu në jug, po luftonte kundër italianëve.
Çfarë duhej bërë për t’u mbrojtur kundër këtij pushtuesi të ri ?
Sadija mblodhi të gjithë energjinë e saj, improvizoi dhe drejtoi një ushtri me pleq dhe adoleshentë, kështu ajo përmbysi pushtuesin deri në kthimin e mbretit. Ajo dëshmoi se kishte një zgjuarësi të veçantë, cilësi të rralla, të cilat gjenden gjithashtu në karakterin e këtij djali, që e çmonte dhe e përgatiti me besnikëri për profesionin e mbretit.
Sadija vdiq në vitin 1935 (25 nëntor 1934), pa përmbushur dëshirën e jetës së saj, martesën e djalit të saj me një grua, thoshte ajo, “të mirë, të bukur dhe të nivelit të lartë”.”
* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)