Mbrëmjen e së premtës u përmbyll fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, për t’i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 25 qershor.
Zgjedhjet e 25 qershorit do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.
Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 18 parti. Ndërkohë në këto zgjedhje forcat politike konkurojnë të vetme dhe nuk janë grupuar në koalicione.
Interesimi për zgjedhjet në Shqipëri është mjaft i madh dhe ato do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët do ta ndjekin nga afër procesin ditën e votimeve dhe pas tij.