EKSKLUZIVE: PRISHTINA, MONOGRAFI UNIKE, shqip/anglisht, libri më i ri nga Sanije Gashi
Gazetarja dhe publicistja prishtinase Sanije Gashi sjell librin ekskluziv, tejet reprezentativ dedikuar kryeqytetit kosovar. Libri Monografi Unike për Prishtinën, është libër luksi, një vulë e veçantë për kryeqytetin, ngase autorja në të zbulon Prishtinëm nga një aspekt tërësisht të panjohur. Në këtë libër unik ngërthehen në mënyrë të shkëlqyer ngjarjet, njerëzit, jeta e dikurshme prishtinase, monumentet e rëndësishme kulturore dhe historike, atraksionet e pathëna deri më tani nga personalitetet dhe njerëzit e zakonshëm prishtinas, ngjarje të kryeqytetit tonë të paraqitura nga një prespektivë unike.
Ky libër është botim i dytë i plotësuar në gjuhën shqipe – ndërsa i pari në gjuhën angleze, me parathënie nga shkrimtarja / publicistja Miranda Haxhia.
Nga librat që kam lexuar, ky është i veçantë për mua, shkruan studiuesi i etnologjisë, MSc. Shefki Stublla. Sepse ky libër është një tregim i sinqertë për qytetin e lindjes, është një studim i gjerë dhe i hollsishëm shkencor që trajton jetën dhe rritën e autores bashkë me qytetin, është një kontribut memorial për historinë dhe ngjarjet të cilat duhet të shënohen që të mos harrohen. Libri mbetet një testament i një publicisteje të merituar, i cili do të jetë i mirëpritur edhe nga lexuesit e gjuhës angleze.
Ndërsa politikologu Luz Thaqi, këtë libër e vlerëson si kryevepër, i cili do të lexohet gjithnjë dhe do t’i qëndrojë kohërave. U impresionova me përmbajtjen, me bashkëbiseduesit, fotot, kronologjinë e shtrirjes në kohë e vite dhe mësova aq shumë për Prishtinën, të cilën nuk e kisha njohur. Pra, e përgëzoj nga zemra Sanije Gashin, për punën e bërë në këtë vepër unike, që pasqyron tërësinë e saj – historinë, kulturën dhe qytetërimin e kryeqendrës sonë nëpër vite e dekada.
Libri Monografi Unike për Prishtinën, është një dhuratë ideale për të gjithë adhuruesit e kryeqytetit kosovar. Ndërkaq, në Panairin e 16-të të librit në Prishtinë, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës mori ÇMIMIN PËR VEPËR KAPITALE.
Shtepia Botuese TEUTA
Prishtine, Kosove