suzana-shkreli-kengetarja-cherr
Suzanna Shkreli, kandidatja e partisë Demokrate të SHBA-ave për Kongres gjatë një mitingu elektoral në Universitetin e Shtetit Miçigan, ditën e hënë me këngëtaren e njohur amerikane të muzikës pop dhe yllin e Holivudit, CHER.

Nga Frank Shkreli

Po afrohet 8 nëntori dita e gjykimit, dita e zgjedhjeve të përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të Kongresit dhe të Senatit amerikan.  Siç dihet tanimë, një kandidate për në Kongresin amerikan në këto zgjedhje — për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, si femër dhe shqiptaro-amerikane — është Suzanna Shkreli, e cila po garon në zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigen, si kandidate e Partisë Demokrate amerikane.
Suzanna Shkreli ka siguruar tanimë mbështetjen me rëndësi për kandidaturën e saj nga Presidenti Barak Obama si dhe nga disa senatorë të Shteteve të Bashkuara, zyrtarë vendorë dhe madje edhe nga këngëtarja e njohur amerikane e muzikës pop, CHER.
Ndërkaq, të ënjtën, Suzanna Shkreli njoftoi në faqen e saj të “Facebook-ut” se kishte marrë mbështetjen nga gazeta “State News”, e Universitetit të Shtetit të Miçigen.  Dikush mund të thotë se çfarë rëndësie ka një mbështetje e tillë nga një gazetë universitare.  Rëndësia e mbështetjes nga kjo gazetë është se “State News” është zëdhënse e këtij universiteti që është i nënti universitet në Shtetet e Bashkuara për nga madhësia, me mbi 50,000 studentë — që është pothuaj popullësia e një qyteti mesatar — që mbulon një sipërfaqe prej 40 kilometra katrorë.

Në editorialin e 3 nëntorit, në mbështetje të kandidaturës së Suzanna Shkrelit për Kongresin amerikan, bordi redaksional i gazetës “State News” të Universitetit Shtetëror të Miçigenit, thuhet se, “Zgjedhjet e 8 nëntorit janë më të rëndësishme se vetëm vendimi se kush do të jetë presidenti i ardhëshëm i Shteteve të Bashkuara.” Gazeta universitare u bën thirrje studentëve dhe banorëve të lagjës East Lansing, të cilët kanë të drejtë vote, të votojnë në lagjën elektorale numër 8.  Bordi redaksional njofton lexuesit se “Gazeta State News ka vendosur të mbështesë kandidaten e Partisë Demokrate Suzanna Shkreli në lagjën elektorale numër 8 të Kongresit Amerikan”.

Gazeta u kujton lexuesve se Shkreli ka siguruar mbështetjen e Presidentit Barak Obama dhe shton se “mosha e re e saj do të sjellë një frymë të freskët në Dhomën e Përfaqsuesve.”  Suzanna Shkreli, thuhet në editorialin mbështetës punon tani si prokurore dhe shton se, “Nëqoftse zgjidhet, ajo do të sjellë të njëjtat ideale dhe parime në Kongresin amerikan ku do të punojë për miratimin e ligjeve për ndalimin e diskriminimit në vendet e punës.”  Gazeta thotë se bazuar në përvojën e saj, ajo do të luftojë në Kongresin amerikan për të siguruar, ndër të tjera, edhe ri-autorizimin e ligjeve në mbrojtje për viktimat e abuzimit në familje, duke shërbyer si përfaqsuese për të gjithë ata që mund të mendojnë se nuk kanë asnjë zë që flet në emër të tyre.

Bordi redaksional i gazetës State News të Universitetit Shtetëror të Miçigenit, në editorialin e saj, u bën thirrje votuesve të zonës elektorale numër 8 që të votojnë për kandidaten e Partisë Demokrate për Kongres, pasi sipas tyre, “Suzanna Shkreli është një kandidate që mund t’i besojnë studentët, sepse çështjet që janë me rëndësi për ta, do të jenë gjithashtu edhe prioriteti i saj” nëqoftse zgjidhet si anëtare e ardhëshme e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, “Dhe kjo është arsyeja se pse gazeta State News mbështetë kandidaturën e Suzanna Shkrelit për Kongres në zonën elektorale numër 8” të shtetit Miçigen.

Suzanna Shkreli, kandidatja e partisë Demokrate të SHBA-ave për Kongres gjatë një mitingu elektoral në Universitetin e Shtetit Miçigan, ditën e hënë me këngëtaren e njohur amerikane të muzikës pop dhe yllin e Holivudit, CHER.

By admini