Për katër mbrëmje, Ulqini u shndërrua në një skenë ndërkombëtare të monodramës

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „DULCINEA 2026“ përfundoi sonte në Ulqin, pas katër mbrëmjeve të festivalit, gjatë të cilave publiku pati mundësinë të shijonte interpretimet e tetë artistëve nga tetë vende të rajonit dhe të botës.
Mbrëmja përmbyllëse e Festivalit u zhvillua në Muzeun e Qytetit, në Kalanë e Ulqinit, me monodramën „Marlene Dietrich“, në interpretimin e Ksenija Prohaskës, aktores kroate, Primadonë e Teatrit Kombëtar dhe artiste me një karrierë ndërkombëtare dhe hollivudiane. Përmes ndërthurjes së aktrimit, muzikës dhe një interpretimi të fuqishëm skenik, Prohaska i solli publikut më pranë jetën dhe personalitetin artistik të një prej ikonave më të mëdha të kinemasë dhe muzikës botërore.

Festivalin e përmbylli monodrama „Lopata e Artë“, në interpretimin e Leonard Hamitaj, aktor i shquar dhe fitues i shumë çmimeve nga Shqipëria. Kjo histori tragjikomike sjellë shfaqje për një njeri që përballet me vdekjen e vet, përmes humorit, ironisë dhe simbolikës, hapi çështje që lidhen me përkohshmërinë e jetës, lakminë njerëzore, dinjitetin dhe vlerat që mbeten atëherë kur pasuria materiale humbë rëndësinë e saj.

Nga 19 deri më 22 gusht, DULCINEA mblodhi në Ulqin artistë nga Kolumbia, Kosova, Mali i Zi, Armenia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kroacia. Para publikut u interpretuan monodramat „Por Una Banana“ nga Mayli Georgi Nieto, „Arka“ nga Mentor Zymberaj, „Tregime mizogjiniste“ nga Anđela Marunović, „Aznavour për Aznavourin“ nga Aram Hovhannisyan, „Duke pritur Çe-në – Esperando al Che“ nga Vjera Mujović, „Personi i parë njëjës“ nga Vladanka Krstevski, „Marlene Dietrich“ nga Ksenija Prohaska dhe „Lopata e Artë“ nga Leonard Hamitaj.

Një vlerë të veçantë e edicionit të parë i dha ndërthurja e shfaqjeve me ambientin e Qytetit të Vjetër të Kalasë së Ulqinit. Muzeu i Qytetit dhe Pallati Venezia nuk ishin vetëm hapësira ku u zhvilluan shfaqjet, por u bënë pjesë e identitetit të Festivalit dhe një hapësirë ku teatri bashkëkohor dhe trashëgimia historike e Ulqinit u ndërthurën natyrshëm.

Katër mbrëmjet e festivalit dëshmuan edhe atë që e bën monodramën një formë të veçantë teatrore: në skenë është vetëm një aktor, por shfaqja merr jetë dhe përmbushet vetëm përmes takimit të drejtpërdrejtë me publikun.

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës „DULCINEA 2026“ u organizua nga Komuna e Ulqinit, Sekretariati për kulturë dhe veprimtari shoqërore, me mbështetjen e Forumit Ndërkombëtar të Monodramës nën patronazhin e UNESCO-s. Realizimin e Festivalit e mbështetën Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave e Malit të Zi, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi dhe një numër i madh sponsorësh. Producent ekzekutiv është OJQ „Montenegrin Universal Theatre“ nga Podgorica.
Selektor dhe drejtor artistik i Festivalit DULCINEA është aktori dhe protagonisti i Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Slobodan Marunoviq.

Të gjitha shfaqjet ishin falas për publikun, duke e bërë programin e Festivalit të hapur si për qytetarët e Ulqinit, ashtu edhe për numrin e madh të vizitorëve të qytetit.

Me koktejin përmbyllës në Pallatin Venezia, u ul perdja mbi edicionin e parë të Festivalit DULCINEA, i cili që me edicionin e tij të parë mblodhi emra të rëndësishëm të artit skenik, bashkoi tetë vende dhe dëshmoi potencialin që Ulqini të zërë një vend të dallueshëm në hartën ndërkombëtare të festivaleve dhe teatrit.

By admini

Leave a Reply