KKSH paralajmëron veprime juridike

ULQIN – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi (KKSH) ka reaguar sërish lidhur me emërimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, duke theksuar se çështja duhet të trajtohet në kuadër të respektimit të ligjit dhe të drejtave të garantuara të komunitetit shqiptar.

Në një kumtesë për media, KKSH-ja thekson se nuk kërkon privilegje, kuota etnike apo trajtim të veçantë, por zbatimin e plotë të dispozitave ligjore që rregullojnë funksionimin e institucioneve arsimore ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Këshilli kërkon sqarime nga Ministria e Arsimit lidhur me përmbushjen e kushteve ligjore nga kandidatja e emëruar, veçanërisht sa i përket njohjes aktive të gjuhës shqipe.

Më poshtë publikojmë kumtesën e plotë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.

KKSH KËRKON RESPEKTIMIN E LIGJIT DHE TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI

Lidhur me emërimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme në Ulqin, kjo çështje para së gjithash duhet të trajtohet në kuadër të respektimit të ligjit dhe të drejtave të komunitetit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.

1. Qëndrimi ynë është i qartë: të drejtat e garantuara me ligj për pakicat duhet të respektohen në tërësi dhe jo vetëm formalisht.

Neni 18 i Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave përcakton kushtin e njohjes aktive të gjuhës dhe shkrimit të pakicës, ndërsa paragrafi 2 i këtij neni e lidh këtë kusht edhe me zgjedhjen e drejtorit të institucionit shkollor ku mësimi zhvillohet në gjuhën e pakicës.

Prandaj, pyetja thelbësore është e thjeshtë: a e njeh në mënyrë aktive drejtoresha e emëruar gjuhën shqipe dhe a i plotëson kushtet e përcaktuara me ligj?

Nëse i plotëson, kjo duhet të vërtetohet qartë dhe, në këtë aspekt, e drejta e pakicës konsiderohet e respektuar. Nëse nuk i plotëson, do të kërkojmë verifikimin e ligjshmërisë së emërimit dhe përcaktimin e përgjegjësisë.

Duke pasur parasysh sa më sipër, Këshilli Kombëtar i është drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit me kërkesë për të na informuar nëse kandidatja për drejtoreshë posedon dëshmi për njohjen aktive të gjuhës shqipe, si dhe nëse i është nënshtruar procedurës së verifikimit të njohjes së gjuhës, të parashikuar në nenin 101, paragrafi 4, të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin, apo nëse posedon ndonjë dëshmi tjetër përkatëse që vërteton përmbushjen e këtij kushti ligjor.

2. Ky nuk është një qëndrim që po e mbajmë vetëm për shkak të këtij emërimi.

Edhe para zgjedhjes së drejtorit të SHF „Boško Strugar“ në Ulqin, i kemi dërguar Ministrisë së Arsimit, një shkresë duke kërkuar respektimin e të njëjtit parim ligjor. Në vend të një përgjigjeje, drejtori u emërua, ndërkohë që ekzistojnë dyshime serioze se as në këtë rast nuk është përmbushur kushti i njohjes aktive të gjuhës shqipe. Prandaj presim që organet kompetente t’i vërtetojnë faktet edhe në këtë rast.

Ne nuk na intereson përkatësia kombëtare apo politike e drejtorit. Na intereson vetëm një gjë: a i plotëson apo jo kushtet e përcaktuara me ligj. Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë kuota etnike dhe as trajtim të veçantë. Kërkojmë që shteti të zbatojë ligjin e vet.

3. I njëjti parim duhet të vlejë edhe për kuadrin mësimor.

KKSH do t’u drejtohet me shkresë, të gjitha institucioneve arsimore në zonat ku shqiptarët jetojnë në numër të konsiderueshëm, me qëllim respektimin konsekuent të kushteve ligjore për kuadrin mësimor të angazhuar në paralelet ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Neni 101 i Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin dhe Edukimin përcakton shprehimisht:

„Mësimdhënësit në institucionet ose paralelet e veçanta të institucioneve ku mësimi zhvillohet në gjuhën e pjesëtarëve të popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, përveç kushteve të përcaktuara me ligj, duhet të kenë njohuri aktive të gjuhës dhe shkrimit të asaj pakice dhe të gjuhës malazeze.“

Ne nuk kërkojmë privilegje dhe as zgjedhjen e drejtorit mbi bazën e përkatësisë kombëtare. Kushte të barabarta për të gjithë do të thotë që çdo kandidat duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj. Njohja e gjuhës së pakicës, kur kërkohet me ligj, nuk është privilegj – është kusht ligjor.

Prandaj, i bëjmë thirrje Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave që këtë çështje ta shqyrtojë në dritën e dispozitave të qarta të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave dhe të angazhohet për zbatimin e tyre konsekuent.

Këshilli Kombëtar do të merret në mënyrë aktive me këtë rast, do të përdorë mjetet juridike në dispozicion dhe do t’u drejtohet të gjitha institucioneve kompetente vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit kombëtar shqiptar të garantuara me ligj.

Ky nuk është vetëm një test për një emërim. Është test për zbatimin real të të drejtave të pakicave dhe për sundimin e ligjit në Mal të Zi. Në një moment kur vendi ndodhet në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të drejtat e pakicave nuk mund të mbeten standard evropian në letër dhe çështje vullneti në praktikë.

Me respekt,

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi

Zyra për Komunikim me Publikun

By admini

Leave a Reply