
Qeveria e Malit të Zi dhe Komuna e Ulqinit kanë nënshkruar Kontratën për themelimin e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar për menaxhimin e Parkut të Natyrës “Kryporja e Ulqinit”. Kontratën e nënshkruan ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, z. Damjan Qullafiq, dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, kështu mësohet nga një postim i Komunës së Ulqinit, transmeton Ulqini Online.
Me këtë rast, ministri Qullafiq deklaroi se Kryporja e Ulqinit nuk është një zonë e mbrojtur klasike, por një simbol i vetëdijes sonë, si shtet me territor të vogël, se është jashtëzakonisht e rëndësishme të ruajmë atë që kemi.
“Kryporja është dëshmi e patriotizmit, përmbushja e obligimeve tona dhe një përgjegjësi e përhershme, të cilën si Ministri e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut e marrim me përkushtim”, tha ai.
Ai theksoi se pas mbylljes zyrtare të Kapitullit 27, zgjidhja e çështjes së menaxhimit është një nga obligimet më të rëndësishme që kemi përmbushur me sukses.
“Kryporja e Ulqinit është krenaria e Ulqinit dhe e gjithë Malit të Zi, dëshmi e gjallë se natyrën mund ta ruajmë me përgjegjësi, dashuri dhe vizion për të ardhmen. Ajo është ambasadore e Malit të Zi, një vend ku ekologjia dhe tradita takohen në mënyrë të qëndrueshme. Prandaj sot qëndrojmë me krenari para partnerëve tanë evropianë, sepse kemi treguar se si shoqëri kemi vlera dhe dimë të biem dakord për çështje të rëndësishme.”
“Edhe pse dukej se disa procese zgjatën shumë, besoj se disa gjëra nuk mund të ndodhnin më herët dhe se tani po ndodhin në kohën e duhur, në këtë rast para raundit tonë final të përmbushjes së obligimeve dhe mbylljes së Kapitullit 27”, përfundoi ministri Qullafiq dhe falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar sinqerisht në finalizimin e çështjes së Krypores së Ulqinit.
Nimanbegu tha se “po nënshkruajmë vendimin që Kriporja e Ulqinit të mbrohet përgjithmonë, të rindërtohet dhe të menaxhohet me përgjegjësi, në interes të qytetarëve të Ulqinit, ish-punëtorëve të Krypores dhe brezave të ardhshëm”.
“Marrëveshja politike për shpalljen e Krypores Park të Natyrës u arrit në vitin 2016, ndërsa Kuvendi i Komunës së Ulqinit në vitin 2019 miratoi vendimin me të cilin ky status u konfirmua edhe formalisht. Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025 kemi punuar me përkushtim në zbatimin e këtij vendimi dhe krijimin e kushteve për menaxhim ligjor dhe të qëndrueshëm”, theksoi Nimanbegu.
Ai shtoi se Ulqini zgjedh vlerat afatgjata përpara interesave afatshkurtra, “se pasuritë natyrore nuk janë objekt shitjeje, por trashëgimi që e ruajmë dhe e zhvillojmë”.
Nënshkrimit i pranishëm ishin ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, ambasadori i Gjermanisë, Peter Felten, ministri i Financave, Novica Vukoviq, si dhe përfaqësues të Qendrës për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve (CZIP) dhe shoqatës Dr. Martin Schneider Jacoby (MSJA).
