Në Komunën e Ulqinit u mbajt sot një takim i rëndësishëm kushtuar përmirësimit të infrastrukturës atletike, me synimin që qyteti të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të atletikës në Mal të Zi.

Në takim morën pjesë Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Sekretarja e Sekretariatit për Sport dhe të Rinj, Enisa Martinović, këshilltari i kryetarit Asllan Llunji, arkitekti kryesor i qytetit Mehmet Milla, si dhe përfaqësues të Federatës së Atletikës së Malit të Zi: Milorad Vuletić, kryetar i Federatës, Milan Madžgalj, sekretar i përgjithshëm dhe Ljubiša Marović, kryetar i Klubit Atletik “Orion” nga Ulqini.

Fokusi kryesor i bisedimeve ishte pista atletike në Ulqin dhe mundësia e adaptimit të infrastrukturës ekzistuese në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që sportistëve t’u sigurohen kushte cilësore për stërvitje, përgatitje dhe zhvillim garash.

Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, theksoi se administrata lokale është e gatshme të mbështesë këtë projekt, duke nënvizuar se Ulqini prej vitesh është i njohur si destinacion për përgatitje dimërore të shumë klubeve dhe atletëve, çka krijon një bazë reale për zhvillimin e mëtejshëm të atletikës në qytet.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Federatës së Atletikës së Malit të Zi prezantuan standardet që duhet të plotësojnë pistat moderne atletike dhe shprehën kënaqësinë për iniciativën e Komunës së Ulqinit, duke konfirmuar gatishmërinë e Federatës për të ofruar mbështetje profesionale në realizimin e projektit.

Në përfundim të takimit u dakordua që në periudhën e ardhshme të përcaktohen hapat konkretë dhe zgjidhjet teknike, me qëllim që Ulqini të pajiset me një pistë moderne atletike, në dobi të sportistëve, të rinjve dhe zhvillimit të turizmit sportiv.

By admini