Me rastin e vdekjes së Drita Tafës, nënës së re nga Ulqini, sot është mbajtur protesta me moton “Duam të vërtetën për Dritën”. Protesta nisi me një minutë heshtje për vdekjen e Dritës, pas lindjes në spitalin e Tivarit. Qytetarët e mbledhur kërkuan që të merren masa për konstatimin e fajit dhe dënimin adekuat të fajtorëve. Në protestë ishin rreth 2000 qytetarë nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari por edhe më gjërë, shkruan Ulqini Online.
Hatixhe Nelaj, para OJQ-së Sos telefon Ulqin, përshëndeti familjet Tafa dhe Zati dhe tha se humbja e tyre ka prekur të gjithë banorët e kësaj komune, por edhe diasporën. Znj. Nelaj shtoi edhe rastet tjera të nënave të reja të ndodhura në Spitalin e Tivarit.
“Humbja e Dritës suaj është edhe humbja e të gjithë neve. Familjes Lukoliq, i urojmë nga zemra që Asmira juaj të shërohet sa më shpejt dhe të kthehet në shtëpinë e saj. Po kështu sot pranë nesh janë edhe familjet e Ajla Hotit, si dhe familja e Naida Loshi Alajt, e cila fatkeqësisht pësoi fatin e Dritës. Si koordinator i këtij takimi sot jam jashtëzakonisht i trishtuar, por edhe krenar, sepse Ulqini është i bashkuar. Pas konstatimeve të një lloj komisioni dhe deklaratës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Tivarit, Igor Karishik, jemi të vetëdijshëm se të gjithëve na pret një punë e madhe dhe e gjatë për të arritur tek e vërteta. Vendi mbulon gabimet mjekësore, gojët e vdekura nuk flasin, por ne po u themi të gjithëve, nuk do të ndalemi, ia kemi borxh Dritës, Asmirës, Ajlës, Naidës dhe gjithë grave të tjera, fëmijëve të tyre dhe vetes”, tha Nelaj.
Në takim foli edhe kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu. Ai tha se ky është tubimi më i madh në historinë e Ulqinit.
“Kemi vite që kërkojmë që të kemi një maternitet si gjithë të tjerët. Prej vitesh ne kërkojmë që sistemi ynë shëndetësor të ngrihet në nivelin e një spitali. A është kjo arsyeja që shteti më në fund dëgjon kërkesat tona? Ne kemi për detyrë të mbrojmë familjet dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin. Dhe ne jemi të detyruar që zëri ynë i protestës të dëgjohet nga institucionet shtetërore”, theksoi Nimanbegu.
Momente më emocionuese ishin kur të pranishmeve ju drejtua bashkëshorti i Dritës, Arben Tafa. Arbeni në mes të tjerave tregoi edhe për fjalët e fundit të Dritës, ‘’Kujdesu për fëmijët tone’’ çka bëri që masa e të pranishmeve të përfshihet në emocione të forta.
Vëllai i Drita Tafës, Ejub Zati, ka thënë se është jashtëzakonisht i indinjuar nga deklarata e drejtorit të spitalit të Tivarit, i cili në fjalimin e djeshëm ka njoftuar opinionin se në trajtimin e pacientit Tafa janë respektuar të gjitha parimet dhe rregullat mjekësore të profesionit.
Një nga kërkesat që u apostrofua sot në protestë është që gratë ulqinake të kenë kujdes adekuat shëndetësor dhe mjekësor, si dhe të mbahet një seancë e veçantë e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, në të cilën temë kryesore do të jetë pajisja me të gjitha kushtet e maternitetit në Ulqin për punë, sepse siç u tha në tubim, gratë ulqinake e meritojnë.
Në tubim folën edhe nëna e Asmirës Bukurije Lukoliq, bashkëshorti i Ajlës Zlatan Hot dhe Hatixhe Gjoni.
Tubimi përfundoi me një marsh deri te Sheshi i ullirit.