Nga Gjekë Gjonaj
Në prani të punonjësve të Shtëpisë së Shëndetit Ulqin, përfaqësuesve të Komunës së Ulqinit dhe të drejtuesve të Spitalit të Tivarit sot, më 23 shkurt 2024, u përurua ashensori në këtë objekt shëndetësor, i cili do të mundësojë qasje të lirë dhe të barabartë të gjithë pacientëve, veçmas atyre më në nevojë. Drejtoresha e këtij institucioni shëndetësor, dr. Sadije Hollaj në fjalën e saj përshëndetëse dhe falënderuese tha se ky objekt infrastrukturor, i cili ka rëndësi të madhe për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Komunës së Ulqinit, është donacion i familjes Dina dhe Ahmet Kurmemaj, e cila jeton dhe punon në Shtete të Bashkuara të Amerikës. “ Vepra e familjes Kurmemaj është dëshmia më e mirë se si ndërtohen ura solidariteti dhe bashkëpunimi. Puna e tyre humane dhe fisnike e ka shndërruar këtë familje në një simbol të përkujdesjes dhe respektit. Kjo familje është shembulli më i mirë se distanca nga vendlindja ka shumë pak peshë kur lidhja me vendlindjen është e përjetësuar në mendje dhe në zemër. Ky donacion i familjes Kurmemaj është një gjest i cili shpreh jo vetëm bujarinë, por edhe rëndësinë e ndihmës ndaj bashkëqytetarëve tanë”, tha doktoresha Hollaj , duke shtuar se vlera e këtij projekti është 75.000$.
Nënkryetari i Komunës së Ulqinit , Beqir Sellaj falënderoi familjen Kurmemaj për këtë vepër njerëzore dhe Fonndin Humanitar “ Trojet tona” me seli në Nju Jork, përmes të cilit u mundësua ky projekt dhe u siguruan shumë donacione të tjera në shumë fusha.
Në emër të Fondit Humanitar “Trojet tona”, foli Vjollca Lika. “Donacionet që vijnë nga Familja Kurmemaj gjithmonë bartin me vete edhe një mesazh solidariteti, të ndihmojmë dhe ti gjendemi pranë njëri tjetrit. Sigurimi i ashensorit për shtëpinë e shëndetit vjen si një donacion në kujtim të të ndjerit Ramadan Kurmemaj, babait të Ahmetit. Edhe ai, si shumë bashkëvendës tanë shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetë më të mirë, kushte më të mira dhe duke qenë në një vend të panjohur vështirësitë dhe sfidat ishin të mëdha por gjithmonë ka pasur njerëz të dashur e bujar që të kanë hapur një derë apo të kanë shtrirë një dorë për të ndihmuar, për të kaluar barrierat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet secila familje kur shpërngulet në një vend të ri. Kështu ishin Familja Astafa, Sanija dhe i ndjeri bashkëshorti i saj, Manushi. Ishin ata që iu gjenden pranë dhe ndihmuan shumë e shumë familje nga trevat tona e ndër ta edhe Familjen Kurmemaj. Familja Kurmemaj e kujton akoma sot dhe ndjen mirënjohje e falenderim të veçantë për çdo gjë që ata kanë bërë për familjen e tyre.Ajo u shpreh se donacionet e familjes Kurmemaj kanë një mesazh solidariteti , ndërsa donacioni i sotëm është në shenjë kujtimi të babait të Ahmetit, të ndjerit Ramadan Kurmemaj”, theksoi Lika .
Me këtë rast telegram urimi dërgoi kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, ndërsa Shtëpia e Shëndetit në Ulqin në shenjë falënderimi për donacionin e dhënë i dhuroi një Mirënjohje familjes Kurmemaj.