Dr Ibrahim Rugova  2 Dhjetor 1944 – 21 Janar, 2006

(Në përvjetorin e lindjes)

“Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e Kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, Presidenti Bill Clinton

 Nga Frank Shkreli  

Shpesh ndodh në historinë e kombeve – të mëdha e të vogla – që në rrethana e situata të caktuara, nga gjiri i një kombi dalin individë të cilët, me idetë e tyre, ringjallin dhe ndryshojnë jetën dhe historinë e kombit të vet. Unë besoj se i tillë ishte Dr Ibrahim Rugova, për shqiptarët.  A thua është e rastit a po një mister hyjnor që çerek fundin e shekullit të kaluar, Dr. Rugova u bë zëdhënsi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe i mbarë Kombit shqiptar në periudhën post-komuniste.  Individë të një kombi si Ibrahim Rugova, shpeshëherë dënohen prej fatit për të pësuar nga vet bashkatdhetarët e tyre, keqkuptim, kritika, vuajtje dhe në përgjithësi, mos-mirënjohje për kontributin e dhënë për të mirën e përbashkët.  Në histsorinë e shqiptarëve, për fat të keq, mos njohja e meritave për njerëz të caktuar të historisë, nuk është gjë e re. Thuhet se as Gjergj Kastriotin -Skenderbe nuk e kuptuan aq mirë bashkohasit e tij.

Kam drojë se ky fat po ndjekë edhe Presidentin historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovën edhe pas kalimit të tij në amshim, megjithë kontributet e tija të shumta në historinë e re të Republikës së Kosovës dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, sidomos, në ndërkombëtarizimin e “çeshtjes së Kosovës” dhe mundësive që ai krijoi për lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Republika e Kosovës, duke bërë miqë për shqiptarët anë e mbanë botës, por veçanërisht Shtetet e bashskuara dhe demokracitë perëndimore..   

Po e kujtoj sot Dr Ibrahim Rugovën, në ditëlindjen e tij, jo për të thënë ndonjë gjë të re për Presidentin historik të Dardanisë, pasi gjatë viteve kam shkruar dyzina artikujsh për veprimtarinë e Dr. Rugovës dhe për lidhjet e tija të veçanta me Shtetet e Bashkuara, por thjesht, po e kujtoj, shkurtimisht, për të mos e harruar!

Po kujtoj vizitën e parë të Dr. Rugovës në Shtetet e Bashkuara në vjeshtë të vitit 1989, një vizitë që sipas disave, ndryshoi jetën e tij personale dhe historinë e Kosovës.  Ishte një vizitë, që sipas vërejtësve të ngjarjeve të asaj kohe,  hapi rrugën për vizita të shumta që ai bëri më vonë në Washington, me qëllim për të mbajtur në qendër të vëmendjes amerikane çështjen e Kosovës, pasi ishte i vetëdijshëm se në qoftë se Kosova do të zhdukej nga vëmendja politike dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara, siç ishte deri në atë kohë, vaj medet për popullin shqiptar të Kosovës. Nga këndvështrimi i sotëm, mund të thuhet se Dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara Tetorin e vitit 1989, me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal dhe patriotik për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në cilindo nivel që ta hidhte fati.  Pak pas kthimit të tij në Kosovë nga vizita në Washington ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë dhe nga pikëpamja historike shqiptare. Do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse, me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, Dr. Rugova shikohej si një zëdhënës i denjë dhe mbrojtës i besueshëm i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej. Me këdo takohej, bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton. Ndërsa, Presidenti George W. Bush e ka kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.

 Për më tepër, Dr. Ibrahim Rugova, si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e pa kushte të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Pothuaj pa dallim feje krahinash dhe pa marrë parasysh bindjet politike. Si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shëndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë e historike – e pa parë deri atëherë – në përpjekjet ushtarake dhe diplomatike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Një lëvizje kjo e papërsëritëshme deri më sot dhe nuk besoj se do përsëritet më, në historinë e këtij komuniteti – të pakën siç duken punët sot.

Kjo lëvizje e fuqishme lobuese është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar në Amerikë nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë nga trojet shqiptare, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin.

 Dr. Rugova ishte i bindur se për Kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, me të drejta dhe me përgjegjësi të plota, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe përfundimisht, si pjesë e pandarë e organizmave Euro-Atlantike.  Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të Kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke thekësuar shpeshëherë “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.

Ndryshe nga klasa politike post-komuniste shqiptare, Presidenti Ibrahim Rugova ishte i vetëdijshëm për dëmet që regjimi komunist i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të Kombit shqipta, si Shtetet e Bashkuara.  Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të Kombit shqiptar si Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, Kombi shqiptar duhej të ndërtonte baza të reja dhe të forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe në themelet e trashëgimisë shpirtërore, historike dhe patriotike të rilindësve të vërtetë shqiptarëve.

Ishin këto karakteristike, cilësi, parime por edhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të Kombit shqiptar, ato vlera që më në fund, e ndihmuan Dr Rugovën që të bënte miq për Kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në trojet autoktone në Ballkanin Perëndimor, ku kanë jetuar me shekuj.

Në këtë përvjetor të lindjes, Dr Ibrahim Rugova duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve, anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës shqiptar i kohërave moderne, i cili mbi të gjitha, besonte se dashuria për Kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës,  duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e nderit personal dhe emrit të mirë shqiptar, në botë.

By admini