
Nga Xheladin Zeneli
Disa të ashtuquajtur “opinion-bërës” të cilët përmes shkrimeve të tyre në portalet e ndryshme informative apo përmes paraqitjeve të tyre si “analista politik” të studiove televizive në Kosovë dhe Shqipëri, duke folur për gjendjen politike aktuale në Kosovë, krahasojnë pozitën e tanishme të komunitetit serb atje, me pozitën e shqiptarëve dikur nën Serbi.
Tërheqja e paralelizmave në mes gjendjes së shqiptarëve në Kosovë të para luftës (pra para çlirimit të saj nga Serbia ), me pozitën e pakicës serbe të pas luftës në Kosovë, janë krahasime idioteske, të neveritshme,tendencioze dhe unë do të thoja edhe të rrezikshme.
Të krahasosh diskriminimin, përndjekjen, persekutimin, burgosjen, torturimin dhe vrasjen e mijëra shqiptarëve, gjatë kohës së pushtetit (pushteteve) të Jugosllavisë (Serbisë), me gjendjen e tanishme të pakicës serbe në Kosovën e pavarur, është një ndër deklaratat më të pa përgjegjëshme publike që dikush mund të bëj sot.
Bile disa shkojnë aq larg duke bërë krahasimin e masave ekonomike të BE që po aplikohen sot ndaj Kosovës, duke thënë se :
“…vite pas bombardimit të Serbisë për shkelje të drejtës së minoritetit shqiptar, Kosova është nën sanksione për shkak të shkeljes së të drejtave të minoritetit serb…”.
Është për shumë keqardhje që qendrimeve të tilla të këtyre (b)analistëve,i bashkangjitet edhe ndonjë politikan i opozitës së sotme në Kosovë, duke krahasuar ndërhyrjet e policisë së shtetit të Kosovës dhe arrestimin e kriminelëve në pjesën veriore të saj, me ndërhyrjet dhe arrestimet e dikurshme të Slobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të pafajshëm, kur Kosova ishte pjesë e Serbisë.
Kush janë këto injorant dhe njerëz të pa skrupull që në emër të fjalës së lirë keqinformojnë,manipulojnë dhe mashtrojnë opinionin shqiptar, sidomos gjeneratat e reja të cilat nuk kanë patur fatin e hidhur të jetojnë, të përjetojnë dhe mbijetojnë vuajtjet, dhunën,sakrificat dhe të pësojnë traumat që shumë shqiptarë kanë pësuar në kohën e regjimeve serbo-jugosllave.
Komuniteti serb sot, në Kosovën e pavarur, jo vetëm që gëzon të drejtat më të avancuara të një pakice kombëtare sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, por sa i përket nivelit të lartë të aplikimit dhe realizimit të këtyre të drejtave ,shteti i Kosovës konsiderohet sot si shembull dhe model në rajon dhe në Europë.
Falë hapësirës mediatike që po iu jepet këtyre (b)analistëve politik, po ndryshon edhe narrativa për serbët në Kosovë duke u krijuar një percepcion i ri kinëse serbët janë minoritet i diskriminuar dhe po iu shkelen të drejtat e tyre në këtë shtet(?!).
Nuk duhet të jesh analist politik të kuptosh ate që komuniteti serb në Kosovë, posaçërisht ata në pjesën veriore të vendit,janë të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar dhe përdorën nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq për arritjen e qëllimeve e tij politike e që është sabotimi dhe shkatërrimi i shtetësisë së Kosovës.Ky është fakt.
Mediumet në gjuhën shqipe si ato të shkruara, elektronike dhe televizive, janë në të drejtën e plotë të tyre për t’ju dhënë hapësirë mediatike edhe mendimeve të ndryshme lidhur me temat politike në vend, por njëkohësisht mbajnë përgjegjësi për krijimin e narrativave të rrejshme në opinionin shqiptar,por pse jo edhe ate ndërkombëtar, lidhur me çështjet me rëndësi jetike nacionale.
Korrik 2023