xheladin zeneli

Ish deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi dhe njëheri aktivist i dalluar i diasporës sonë, z. Xheladin Zeneli i ka shkruar një letër publikë kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.

Letren e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Z. Kryeministër i Shqipërisë,

Me keqardhje e them se reagimi dhe qendrimi i juaj me rastin e ngjarjeve të fundit në veriun e Kosovës, lën shumë për të dëshiruar.

Në të vertetë, mënyra se si keni reaguar ndaj protestave të dhunshme të serbëve dhe sulmeve të tyre ndaj KFOR-it dhe policisë së Kosovës,duke bërë fajtor për këtë edhe kryeministrin e Kosovës,ishte skandaloze!

Por,ajo çfarë nuk pritej nga Ju dhe që shokoj opinionin shqiptar, posaçërisht ate në Kosovë ishte lajmi se këto ditë keni dorëzuar një ‘draft statut’ për ‘Asociacionin e komunave me shumicë serbe’ në Kosovë, presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.

Kjo është së paku, thika e dytë pas shpinde që po i bëni Kosovës , pas asaj me “Ballkanin e Hapur”.

Z. Kryeministër,

Pas zgjedhjeve të Prillit 2021,kur ju fituat mandatin e radhës si kryeministër i Shqipërisë, ju keni deklaruar atëherë se se ju “do të jeni kryeministri i të gjithë shqiptarëve…” (!?).

 -Një ‘kryeminstër i shqiptarëve’ nuk angazhohet për pakicën serbe në Kosovë duke ofruar draftin e ‘Asociacionit të komunave me shumicë serbe” ;

-Një ‘kryeministër i shqiptarëve’ nuk avokon për një pakicë etnike jo shqiptare në shtetin e dytë shqiptar. Paramendoni sikur kryeministri i Kosovës të angazhohej për statusin e minoritetit grek në Shqipëri (?!);

-Një ‘kryeministër i shqiptarëve’ nuk pretendon të luajnë  rolin e ndërmjetësit në mes Serbisë dhe Kosovës (kjo është detyrë e ndërkombëtarëve), por ju duhet haptas të merrni anën e gjysmës së kombit tuaj, pra anën e Kosovës, sepse kështu e thotë edhe kushtetuta e Shqipërisë;

Z. Kryeministër,

dashur apo padashur , me vetëdije apo pa vetëdije, kur përkrahet një tendencë e djallëzuar e Serbisë dhe e Aleksader Vuçiqit siç është ‘Asociacioni’ i cili për qëllim përfundimtar ka ndarjen e Veriut nga Kosova, atëherë me këtë  përkrahet  një aspiratë e tyre që ata e quajnë ‘Bota Serbe’.

Mendoj se pajtoheni me faktin se sot Kosova po kalon një ndër sfidat më të mëdha të saj që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Vendimet që do të mirren tani lidhur me ‘Asociacionin’ do të kenë efekt dhe pasoja të gjata në të ardhmen e shtetësisë , sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës;

Z. Kryeministër, 

Jeni ngutur  dhe keni gabuar  rëndë me draftin e statusit të ‘Asociacionit’ pa u konsultuar me Kryeministrin, Qeverinë, Presidenten apo udhëheqësit e tjerë politk të shtetit të Kosovës!

Nëse ka ndonjë moment kur të gjithë shqiptarët duhen të rreshtohen sipas motos “Një Komb-Një Qendrim”,si në vitet 1998/99 , atëherë ky moment është  tani.Në këtë rreshtim  duhet të paraprini Ju si ‘kryeministër i shqiptarëve’ që pretendoni të jeni !

Çdo pëllëmbë e territorit të Kosovës është pjesë e pa ndarë e interesit tonë kombëtar dhe asnjëherë nuk bëhët politikë apo kompromis me çështjet e këtij interesi madhor.

Qershor 2023

By admini