Kuvendi i Malit të Zi të ditë më parë votoi Ligji mbi kthimin e pronës së Gjirit të Valdanosit në Ulqin te pronarët e ullishtave, shumica shqiptarë. Ligji mori përkrahjen e 49 deputetëve, aq sa morën pjesë në atë seancë, shkruan Ulqini Online.

Ajo çka bie në sy është se ky ligj nuk u votua nga deputetët e DPS-it dhe as ata të Partisë boshnjake të cilët nuk morën pjesë në votim, ndër më të rëndësishmit për Komunën e Ulqinin në dekadat e fundit.

Edhe përkundër kësaj mospjesmarrjeje në votim të deputetëve të këtyre dy partive, të DPS-it dhe Partisë boshnjake, partitë shqiptare në Ulqin, përjashto Forcën e Re Demokratike dhe Lëvizjen Perspektiva që nuk janë pjesë e këtij koalicioni prej kohë më parë, vazhdojnë partneritetin në nivel lokal me këto parti.

Zyrtari i lartë i Lëvizjes URA në Ulqin, Omer Bajraktari, habitet nga mosreagimi i kryetarit të Komunës së Ulqinit i cili për këtë ngjarje të rëndësishme për qytetarët e komunës të cilën drejton nuk ka thënë as edhe një fjalë.
‘’ Komuna e Ulqinit në krye me kryetarin Aleksandar Dabovic ende sot me asnjë fjali nuk e përgëzojnë kthimin e Valdanosit mbi 600 familjeve ulqinake dhe të gjithë bashkësive fetare’’, shkruan ndër të tjera Bajraktari.

Pa ullinj dhe prona në Valdanos, pronarët e pronave kanë mbetur që nga viti 1978. Atëbotë bëhej fjalë për 204 familje, kurse sot mendohet të jenë rreth 600.

Prona ishte marrë për ndërtimin e një baze ushtarake, por ka kohë që nuk është shfrytëzuar fare.
Një metër katror u ishte paguar pronarëve si kompensim 1.07 dollarë, kurse një rrënjë ulli 59.7 dollarë. Sipas ekspertëve, vlera e sotshme është: 44 euro një metër katror, kurse 417.5 euro një rrënjë ulli.

By admini