Reagim për opinion e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve për ulërimat ofenduese ndaj shqiptarëve në ndeshjen e futbollit Budućnost vs Deçiq,  e luajtur më 30 maj 2021 në Podgoricë

I konsiderojmë tronditëse e të papranueshme britmat ofenduese të një grupi të tifozëve huliganë kundër shqiptarëve, në ndeshjen e futbollit për Kupën e Malit të Zi, ndërmjet ekipit Budućnost të Podgoricës dhe Deçiqit të Tuzit.

Siç na mëson historia, të vërtetat e hidhura janë thënë përmes lojërave dhe shfaqjeve skenike, ky ishte rasti, por jo i vetëm që shpërfaqi në sy të botës, se ende në një pjesë të shoqërisë dhe familjeve në Mal të Zi mbillet fara e urrejtjes dhe racizmit në vend se ajo e tolerancës dhe harmonisë ndëretnike.

Shqiptarët nuk mund të ofendohen nga një grup tifozësh të vetëshpallur „barbarë”, por kjo është një kambanë alarmi për ne, sepse ende në vetëdijen e një pjese të shoqërisë në këtë vend,  ka zënë rrënjë urrejtja patologjike ndaj fqinjëve shekullor, shqiptarëve.

Këto fenomene të përsëritura në forma të ndryshme, na tregojnë se sa shumë punë, përkushtim, sakrificë e unitet na duhet akoma sot, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, në një hapësirë ku herë pas here shpërfaqen elementë neofashistë ndaj pjesëtarëve të një kombi pakicë brenda Malit të Zi.

Normalisht, si shqiptar në Malin e Zi, nuk ndihemi mirë nga britmat e tilla albanofobe dhe mund të përceptohen edhe si forma të presionit psikologjik ndaj shqiptarëve si pakicë kombëtare. Mëgjithatë, këto ngjarje as nuk na frikësojnë, as nuk na bëjnë të ndihemi inferior, sepse ndërgjegjjen kolektive e kemi të pastër, të bindur se kemi kontribuar për të mirë në këtë vend dhe nuk i detyrohemi askujtë.

Ndihemi krenarë dhe vlerësojmë lart reagimin shembullor dhe civilizues të tifozëve të klubit të Deçiqit kundrejt provokimeve skandaloze të artikuluara nga grupe me bindje neofashiste.

Apelojmë ndaj të gjitha organeve përgjegjëse që të marrin të gjitha masat ndëshkimore ndaj aktorëve që kanë artikuluar britma ofenduese ndaj shqiptarëve, si mësim që të mos përsëriten më kurrë në të ardhmen. Ndërsa, të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilat monitorojnë respektimin e të drejtave të pjesëtarëve të popujve pakicë në Malin e Zi, të evidentojnë dhe raportojnë për këto ngjarje.

By admini