Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Maj 2021
“Le Figaro” ka botuar, të shtunën e 2 korrikut 1831, në faqen n°2, një ngjarje të rëndë për luftëtarët shqiptarët, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Tre mijë koka!
Tiranët marrin lehtësisht hije; ata janë të kujdesshëm ndaj gjithçkaje që rreth tyre fiton ndonjë pushtet; ata dridhen së pari për fuqinë e tyre; së shpejti ata vendosin për humbjen e atyre që mund ta trondisin atë. Kështu Pjetri I shkatërroi strelizët (streltsy – strélitz) në Rusi, Mehemed-Aliu mamelukët në Egjipt, Mahmudi jeniçerët në Turqi.
Sulltan Mahmudi (Mahmudi II) më vonë u alarmua nga fryma e pavarur, e pabindur e shefave shqiptarë. Ata u thirrën nga veziri i madh në një paradë të shkëlqyeshme dhe vdiqën në këtë festë ushtarake ku menduan se do të vinin për të kërkuar (marrë) shpërblime.
Disa i shpëtuan masakrës dhe formuan zemrën e të revoltuarëve, të udhëhequr nga Mustafai (Mustafa Pashë Bushatlliu ose Mustafa Reshit Pashë Bushati), Pashai i Shkodrës. Vezirit të madh, Reshid Pashës (Mustafa Reshid Pasha), iu dha detyra të luftojë kundër tyre. Ai i gjeti ata të mbledhur para Prilepit (Perlepé) dhe disiplina fitoi mbi guximin.
Pas betejës në Prilep (Perlepé), Mustafai mblodhi rreth tij mbetjet e ushtrisë së tij dhe iu drejtua krerëve shqiptarë: “Ju ishit trembëdhjetë pashallarë dhe nuk mundët t’i rezistonit njërit, Reschid-Pashës, xhelatit tuaj! Turp të keni!” Hifzi-Pasha, një shqiptar i vrullshëm doli nga radhët, me fytyrën e tij të tërbuar: “Ti nuk e njeh atë që quhet Reshid Pasha. Epo e pashë atë të luftojë dhe mund të flas për këtë; mjafton vetëm ai për të shpërndarë një ushtri: vështrimi i tij është rrufe; zëri i tij është bubullimë; krahu i tij është vetëtimë!”
Të nesërmen Mustafai kishte mbledhur shtatëmbëdhjetë mijë burra në lartësitë që dominojnë Dibrën (Derbent) dhe Prilepin (Perlepé) jo shumë larg vendeve ku u vendosën fatet e republikës romake në tri betejat e Pharsale-s, Philippes dhe Actium-it.
Reshidi u shfaq. Hifzi Pasha kishte thënë të vërtetën: pas një lufte të shkurtër, por të përgjakshme, ushtarët e Mahmudit morën me vete 1200 të burgosur dhe çuan me triumf në seraje tre mijë koka shqiptare.
* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania),
https://www.darsiani.com/la-gazette/le-figaro-1831-tre-mije-koka-shqiptaresh-u-cuan-si-triumf-ne-serajet-e-sulltanit/.