Deputet shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi Genci Nimanbegu ka uruar kryeministrin e Shqipërisë për fitoren e subjektit të tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Urimin e plotë të Nimanbegut mund ta lexoni më poshtë
I nderuar Kryetar Rama,
Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara këtë të diele në Shqipëri, që vijnë pas një periudhe tensionesh në mes dy poleve politike në vetë Shqipërinë, kanë një rëndësi të madhe si proces demokratikë në shtetin tuaj por edhe jo vetëm për vetë Shqipërinë, por edhe për proceset demokratike për tërë rajonin.
Shoqëritë tranzitore në Ballkanin perëndimor sigurisht që kanë mangësi demokratike, por jam i bindur çdo ditë do të jenë më të vogla deri sa rrugëtojmë drejt familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Jo si arsyetim por çdo herë duhet të kujtojmë se nga e kaluara kemi çështje të hapura të cilat edhe rrugëtimin tonë e përbashkët e vështirësojnë. Prapambetjet nga e kaluara edhe më tepër e kanë vështirësuar punën që kemi përpara jush.
Ne Shqiptarët nga Ulqini, Tuzi, Plava dhe Gucia, nga Kraja , Ana e Malit dhe Rozhaja jemi dëshmitar se sa shumë është zhvilluar shteti jonë amë nga 1992 deri tani. Por sigurisht që edhe si vetë populli juaj dëshirojmë më tepër dhe më shpejtë, më drejtë dhe më begati për Shqipërinë dhe popullin e saj.
Ne gëzohemi fort vizionit proevropian dhe zhvillimit të dukshëm, të Shkodrës, Durrësit, Tiranës dhe Vlorës, gëzohemi zhvillimit të çdo cepi të Shqipërisë.
Prandaj, Ju uroj nga zemra fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare me 25. Prill 2021. Ky rezultat ju jep fuqinë për të vazhduar me qeverisje në Shqipëri. Këtë fuqi, ju lutem ta përdorni me mençuri dhe zemërgjerësi për gjithë popullin tuaj.
Ju dëshirojë suksese dhe rezultate të mira gjithmonë duke u mbështetur në popullin tonë të mrekullueshëm, në punën e çdo njeri dhe familje punëtore, te puna e çdo biznesi, intelektuali dhe punëtori në Shqipëri. Çdoherë duke synuar vlerat më të larta të demokracisë.
Kurse, Në jemi këtu të vazhdojmë bashkëpunimin me ju nga pozita e një populli autokton në trojet e veta që do të jetë urë lidhëse edhe në këto kohë kur sfidat janë më të mëdha në dekadën e fundit.
I nderuar Edi,
Ju lutem këtë mesazh urimi ndani dhe me kolegët e mi të dashur të Kuvendit të Shqipërisë.
Me respekt të veçantë,
Genci Nimanbegu
Deputet në Kuvendin e Malit të Zi