
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Faik Nika dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu kanë uruar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Urimet e Nikës dhe Ramës mund ti lexoni të plota më poshtë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
K R Y E M I N I S T R I A
Kryeministrit, z. Edi RAMA
T I R A N Ë
I dashur Kryeministër z. Rama,
Me anë të kësaj letre, në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, Ju përcjellim urimet tona të sinqerta për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Besojmë fort se do të vazhdoni të bëni më të mirën për Shqipërinë dhe shqipëtarët në përgjithësi!
Shqiptarët në Malin e Zi, përherë e kanë vemendjen tek ngjarjet, proceset e zhvillimet që ndodhin në Shqipëri, në shtetin amë, të bindur se kur Shqipëria është mirë dhe në rrugën e duhur, shqiptarët në përgjithsi ndihen më mirë e më të sigurt. Më duhet të rikujtoj dhe njëkohësisht t’ju falënderoj, sepse gjatë mandatit Tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për herë të parë në histori, keni marrë vendim për të ndihmuar edhe financiarisht, institucionet e shqiptarëve në trojet e veta jashtë Shqipërisë.
Me bindje dhe vullnet të plotë se edhe gjatë mandatit të ri qeverisës do të vazhdojmë edhe më shumë, edhe më mirë bashkëpunimin tonë institucional, vëllazëror e shoqëror, në dobi të çështjeve kombëtare. Më mbetet vetëm t’Ju dëshiroj suksese në ambiciet Tuaja për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane për çka do të ndiheshin krenarë mbarë shqiptarët. Urime!
Sinqerisht,
K r y e t a r i
Faik Nika
Partia Socialiste e Shqipërisë
Kryetar, z. Edi Rama
I nderuar Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, zotëri Edi Rama,
Dëshiroj që në emër të partisë politike Forca e Re Demokratike dhe në emrin tim personal, të ju uroj fitoren e bindshme në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Republikën e Shqipërisë.
Me shumë vëmendje e kemi përcjellur procesin zgjedhor dhe ju përgëzojmë për rezultatin e arritur përmes votës së popullit e cila ju dha besimin që të udhëheqni Republikën e Shqipërisë edhe në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, të tretin me radhë.
Populli shqiptarë në Mal të Zi pret nga ju një bashkëpunim edhe më të fuqishëm gjatë mandatit të ardhshëm, të jeni dorë e shtrirë në ndihmën e realizimit të çështjeve shqiptare në Mal të Zi, kurse ne do të jemi çdoherë urë lidhëse e avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe promovimit të fqinjësisë së mirë në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë.
Suksese dhe punë të mbarë në mandatin e radhës!
Me nderime,
Nazif Cungu