Nxënësit e thërrisnin arsimtar, sportistat e thërrisnin trajner kurse valltarët e folklorit të Ulqinit e thërrisnin kapidan. Këto janë vetëm disa nga emërtimet për njërin ndër personat më të veçantë në qytetin tonë, Beqir Trumën, i cili ndërroi jetë kësaj të diele në moshën 77 vjeçare.
Arsimtar Beqiri jetën e tij profesionale e kaloi si arsimtar i Edukatës fizike në shkollën fillore të qytetit të Ulqinit. Ka përcjellur një numër të madh të brezaven të cilët e mbajtën në zemër edhe pas përfundimit të shkollës për shkak të një sjellje ndryshe nga ajo e zakonshmja, shkruan Ulqini Online.
Paralelisht ka kontribuar me shumë sukses me folklorin e Ulqinit duke marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare me grupin e folklorit të qytetit tonë. Një kohë të gjatë ka luajtur rolin kryesor në vallen më të njohur të qytetit tonë, vallja e piratëve “Dum sharaveli” ku arsimtar Beqiri luante rolin e kapidanit prej nga ku valltarët në vazhdimësi e therrisnin me këtë emër.
Arsimtar Beqiri pas vetës la bashkëshorten, dy djemë, vajzën dhe nipa e mbesa.
Lamtumirë arsimtar, lamtumirë kapidan!