Edi Rama dhe Hashim Thaçi në kohën kur u shpallen qytetarë nderi të Ulqinit

Mediat malazeze një ditë më parë publikuan një video material të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me anë të së cilës ai jepte mbështetje për Partinë Demokratike të Socialistëve dhe kryetarin e DPS-it, Millo Gjukanoviq, në të cilën ai drejtohet në anglisht, por në një moment, edhe në gjuhën malazeze, “Odlucno za Crnu Goru “, që është slogani i fushatës së DPS-it, shkruan Ulqini Online.

Por sot, një ditë më vonë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në faqen e vet publikoi një video tjetër por tani për të mbështetur Listën Shqiptare.
”MESAZHI IM PËR BASHKËKOMBASIT NË MALIN E ZI – Votoni LISTËN SHQIPTARE dhe forconi partneritetin strategjik me Presidentin Gjukanoviç dhe partinë e tij”, ky është teksti shoqërues i kryeministrit të Shqiprisë Edi Rama për videon e publikuar.

Dy orë më pas, po sot, mbështetje për Listën Shqiptare erdhi edhe presidenti i Koosovës Hashim Thaçi.
”Këtë të diel, shqiptarët në Mal të Zi gjenden përballë mundësisë së zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetërore të shtetit mik të Kosovës. Komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe ka luajtur rol konstruktiv e kontributdhënës në rrugën e integrimit euroatlantik të tij.
Prandaj, duke njohur punën e tyre të vyer në të mirë të interesave kombëtare, edhe sot u bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhje për ta mbështetur Listën Shqiptare, në mënyrë që ta avancojnë përfaqësimin e tyre politik dhe ta sigurojnë ecjen përpara të Malit të Zi drejt së ardhmes euroatlantike, si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Çdo kontribut i dhënë për avancimin e agjendës evropiane të Malit të Zi e çon përpara bashkimin e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane”, kështu shkruan Thaçi në një postim të tij në fb.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen kësaj të diele.

By admini