Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe njëheri deputeti i vetëm i subjektëve politike shqiptare Genci Nimanbegu ka dalur sot në një konferencë për shtyp për rastin K1.
”Dëshiroj t’u informoj se kompania „Rekreaturs“ nga Budva, anëtare e grupit Atlas, para disa ditësh e ka bllokuar edhe zyrtarisht xhiro llogarinë e komunës së Ulqinit, kur edhe ka filluar përmbarimi i dhunshëm i kërkesave të paditësit në vlerë diç më të lartë se 6 milionë euro”, kështu deklaroi në fillim të konferencës për shtyp Nimanbegu.
Deklaratën e plotë dhe video materialin e kësaj konference mund ta lexoni dhe shikoni më poshtë.
Deklaratë për media lidhur me rastin „Rekreaturs – K1“
Të nderuar përfaqësues së mediave dhe e në veçanti të nderuar bashkëqytetarë të mi nga Komuna e Ulqinit, dëshiroj t’u informoj se kompania „Rekreaturs“ nga Budva, anëtare e grupit Atlas, para disa ditësh e ka bllokuar edhe zyrtarisht xhiro llogarinë e komunës së Ulqinit, kur edhe ka filluar përmbarimi i dhunshëm i kërkesave të paditësit në vlerë diç më të lartë se 6 milionë euro, për rastin nga viti 1983, kur në bazë të Vendimit të Komitetit Republikan për Urbanizëm të Malit të Zi, është rrënuar lagjja turistike „K1“ në Plazhin e Madh.
T’ua përkujtoj se firma „Rekreaturs“ nga Kosova, pra Bashkësia vetëqeverisëse e interesit për pushime dhe rekreacion të punëtorëve të Kosovës, është regjistruar në Mal të Zi me një procedurë problematike, pasi që regjistrimin e kanë bërë disa punëtorë të kësaj firme, të ikur në Mal të Zi më 1999, duke marrë vendimin për zhvendosjen e selisë së ndërmarrjes. Se i tërë rasti është e dyshimtë dhe i bërë me paramendim, flet edhe fakti se në vitin 2002 firmën e ka blerë „Atlas grupa“ për 60.000 eura, e që disa vjet më vonë, pranë Gjykatës Ekonomike, vetëm në bazë të një borxhi ka kërkuar dëmshpërblimin prej 10,5 milionë euro, pikërisht për objektet që u kanë takuar Sindikatave të Kosovës. Ju përkujtoj se kjo ndërmarrje u bë pronare e „KAMENOVA-s“ për vetëm 60.000 euro. Dhe kjo tani vlen 14 milionë. Gjithashtu Rekreaturs d.o.o. Budva është në proces me qytetarët e Budvës, ish pronarët, dhe jemi në dijeni se edhe APK (Agjencia për privatizim e Kosovës) është duke u kyçur në procesin e ri pranë Gjykatës në Kotor, ku PK padit Rekreatursin për prezantim të rrejshëm.
Është fakt se Rekreatursi edhe më tutje është në evidencë dhe se ekziston në Kosovë (shih linkun http://www.pak-ks.org/desk/inc/media/3D9E3C34-2E40-486A-81A1-2784A2217222.pdf), por këtë gjykatat tona, çuditërisht e anashkalojnë. Sigurisht që është ende kontestues vet legjitimiteti i Paditësit Rekreaturs Budva, dhe nuk ekziston asnjë aktvendim gjyqësor që mund të ma provojë të kundërtën dhe se nuk ka logjikë në Aktvendimin e gjyqit. Pra, mund ta them lirisht, se me vendimin e Gjyqit, dikush që është prezantuar rrejshëm është njohur si palë në procesin gjyqësor.
Sot, pas plotfuqishmërisë së vendimit, shohim se këta aktorë ia kanë arrirë qëllimit të vet, që në rrethana të dyshimta t’i fitojnë 6 milionë euro, dhe në këtë mënyrë ta vjedhin një buxhet të tërë vjetor të Komunës së Ulqinit dhe ta çojë komunën drejt bankrotit.
Pasojat janë të paparashikueshme dhe irritimi im ndaj këtij vendimi është i madh. Me këtë vendim komuna e Ulqinit do të jetë e bllokuar 10 deri në 11 muaj, aq parashikohet se do të zgjatë pagesa e dhunshme. Në këtë periudhë do të ndalohej gjithçka, sa i përket punës së komunës. Të punësuarit në komunë, 6 ndërmarrje, themeluese e të cilave është komuna, furnizuesit, e çka është më e rëndësishmja i tërë procesi dhe puna e vetëqeverisjes lokale do të bllokohej. Ky është edhe një vendim, të cilin qytetarët e Ulqinit do ta trajtojnë si vendim që merret në dëm të tyre, madje jashtë komunës sonë.
Shtroj pyetjen pse janë dashtë më se tri dekada të merret një vendim përfundimtar, madje në dëm të komunës dhe qytetarëve të Ulqinit, kur e dimë se ky nuk ishte vendim i saj, por vendim i organeve të Qeverisë së atëhershme?
Kryetarin e Qeverisë e kam informuar edhe gjatë Orës së Kryeministrit në fund të dhjetorit 2018, se komuna e Ulqinit është në pozitë të pavolitshme dhe se rrezikon bllokadën, që do t’i shkaktonte dëm afatgjatë, jo vetëm komunës por edhe të gjithë qytetarëve të Ulqinit, gjegjësisht se duhet sa më urgjentisht të ulemi në tryezë dhe ta gjejmë zgjidhjen për këtë problem akut.
Ftoj Qeverinë dhe komunën e Ulqinit që ta zgjedhim së bashku këtë sfidë dhe në mbledhjen e parë të ardhshme të Qeverisë ta shqyrtoni dhe ta gjeni zgjidhjen për heqjen e bllokadës komunës së Ulqinit, jo me prolongim të përmbarimit për një kohë të caktuar, por me një zgjedhje afatgjatë, qoftë me marrjen mbi vete të tërë borxhit nga ana e Malit të Zi, qoftë me gjetjen e zgjedhjes për shpagimin afatgjatë për shumën e caktuar në rastin gjyqësor.
Më duhet të them se me këtë vendim gjyqësor janë rrezikuar të drejtat elementare të të gjithë 20.000 qytetarëve të komunës së Ulqinit në vetëqeverisje lokale, bllokadë e plotë financiare e komunës së Ulqinit dhe të gjitha ndërmarrjeve publike për një periudhë prej një viti, madje pa mundësi të marrjes së rrogave për të punësuarit në ato organe, institucione e ndërmarrje. Efektet e tilla të bllokadës do të sjellë deri te ajo që qytetarët e Ulqinit të kërkojnë zgjidhjet e çështjeve ekzistenciale në shtetet e perëndimit.
Ky është alarm për Qeverinë dhe Ministrinë e drejtësisë, por edhe instancat tjera gjyqësore që të ulen dhe ta analizojnë këtë problematike, në mënyrë që të gjejnë zgjedhje juridike me të cilën do të mbrohen institucionet lokale dhe shtetërore nga raste të tilla, si dhe qytetarët e të gjitha komunave tona, në mënyrë që çështjet jetike të mos rrezikohen.
Njëkohësisht i ftoj të gjitha institucionet kompetente në Mal të Zi dhe prokurorinë që ta shqyrtojnë tërë çështjen, që nga ajo se si „NSH Rekreaturs“ nga Prishtina u regjistrua në Mal të Zi, e deri te verifikimi i të gjithë elementeve të kësaj afere, për shkak të të cilave „Atlas grupa“ ka arrirë të përfitojë dhe t’i shkaktojë dëme disa milionëshe komunës së Ulqinit, por edhe në dëm të vetë qytetarëve të Malit të Zi.
Qytetarëve të Ulqinit u them se duhet ta hapim këtë temë në mënyrë transparente në Parlamentin e Ulqinit, në pajtim me ingerencat e Kuvendit dhe në dialog demokratik t’ua shpjegojmë qytetarëve në ënyrë transparente të gjitha faktet ekzistuese por edhe pasojat e kësaj afere. Vendimet e marra para 0 vjetësh do të rrezikojnë komplet një komunë në 10 vjetët e ardhshme, sa do të zgjaste shërimi i Komunës së Ulqinit nga efektet negative të këtij aktvendimi gjyqësor.
GENCI NIMANBEGU,
Deputet i koaliciionit „Shqiptarët të Vendosur“