Arti shqiptar rrugëton në Paris përmes artistit nga Ulqini Naser Hasa. Shkrimtari Luan Rama, i cili ka qenë i pranishëm edhe gjatë inaugurimit të ekspozitës sjell për publikun në Shqipëri një panoramë të atmosferës. Sipas tij trajektorja që Hasa përshkon është ajo për të cilën shkruante para më shumë se një shekulli Van Gogh
Një nga vatrat më mikpritëse të artit shqiptar veçanërisht kohët e fundit është bërë Parisi. Kësaj here në “Espace 26, Place Denfert Rocheraut Paris 14” ngjalli kërshërinë e vizitorëve ekspozita e piktorit nga Ulqini Naser Hasa. I impresionuar prej veprave të artistit shkrimtari Luan Rama sjell për publikun në Shqipëri pak nga peizashi parizien i pikturave të Hasës. Hapësira në të cilën u ekspozua ky vernisazh i takon një tjetër shqiptari, që kërkon të promovojë artin e vendit të tij, bëhet fjalë për Gjergji Themelin. I pranishëm edhe në inaugurimin e ekspozitës shkrimtari rrëfen se trajektorja që Hasa përshkon përsa i përket rrugëtimit të tij artistik zë fill në shkollën e pikturës në Prishtinë, me pikëtakime në Beograd dhe Zagreb, duke formuar gradualisht një profil spikatës mes piktorëve të kësaj pjese të Ballkanit. Ai nuk lë pa përmendur faktin se artisti mori bazat e kulturës pranë atelierisë së piktorit impresionist dhe ekspresionist të Kosovës, mjeshtrit Muslim Mulliqi. Rama sjell në vëmendje faktin se në krijimtarinë e Hasës ajo që mbizotëron është portreti. Ndërkohë që në krijesat e artistit derdhen në ngjyra e forma edhe klithmat e dhimbjes së tij.
Luan Rama /gazeta Shekulli/