Prodhime nga Shqipëria në “G & G Euromarket”, në Hartsdale, New York

 

 

Duke filluar nga 16 qershori, shqiptarët që jetojnë në Hartsdale dhe zonat përreth në veri të qytetit të Nju Jorkut, mund të gjejnë prodhime shqiptare “G & G Euromarket”.

“Klientët tanë janë nga komunitete të ndryshme, po shumica janë shqiptarë e mërgimtarë nga Ballkani e në përgjithësi europiano-lindorë”, thotë për gazetën “Illyria”, Jozefina Zadrima, bashkëpronarepronare e administratore e dyqanit.

Ajo ka 21 vite përvojë në shitjen me pakicë dhe ka krijuar një mozaik të pasur prodhimesh nga Europa, me origjinë të larmishme si Irlanda, Gjermania, Rusia, Portugalia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Rumania e mbarë Europa Lindore. Mirëpo, pjesën më të madhe të gjendjes e përbëjnë mallrat nga trojet shqiptare, e që kërkohen e preferohen nga komuniteti shqiptar.

Jozefina dhe familja e saj e kanë origjinën nga Ulqini. Familja e bashkëshortit, Luigjit, ka ardhur në SHBA, në 1971, kur ai ishte vetëm 1 vjeçar. Jozefina ndodhet këtu që prej vitit 1994 dhe që të dy kanë pjesë aktive e komunitetit shqiptar për vite me radhë.

Ky është dyqani i dytë që hapin dhe ku janë bashkëpronarë me familjen e George dhe Ana Zadrima. Dyqani i parë ndodhet në Yorktown Heights dhe është hapur në 21 dhjetor 2017.

Nga e majta, Eduardi, Jozefina, Luigji dhe Danieli

Në Hartsdale, ndodhet edhe Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, një nga institucionet më të njohura të komunitetit shqiptar në SHBA. Kjo afërsi me kishën ndihmon shumë dhe ka luajtur rol në vendimin për të zgjedhur lokalin.

“Kemi një kishë kaq të bukur këtu, Zojën tonë të Shkodrës”, thotë Jozefina. “Ndihemi krenarë që kemi këtu çdo gjë që mund të ketë nevojë një familje shqiptare. Prandaj edhe e zgjodhëm këtë vend, që ta bënim më të lehtë për komunitetin tonë kur kanë nevojë për të blerë, pas shërbimeve kishtare”.

Në më shumë se dy dhjetëvjeçarë në këtë lloj pune, Jozefina ka parë gjithshka. Momentet më dëshpëruese janë kur ndonjë klient mbetet i pakënaqur. Po nuk ka momemt më të bukur tregon ajo, sesa gëzimi që ndjen blereësi kur zbulon ndonjë prodhim që i nxjerr mallin e atdheut apo kujtime të të kaluarës.

“Për pak çaste ndihet njeriu sikur është kthyer në vendlindje”, thotë Jozefina.

Rrënjët e traditat shqiptare frymëzojnë punë e jetën e tyre të përditshme.

Kanë dy fëmijë, Danielin 16 dhe Eduardin 11, të cilët po i rrisin dhe edukojnë sipas traditave dhe vlerave shqiptare. Luigjin, Jozefinën dhe djemtë e tyre, mund të shohësh shpesh në veprimtari të komunitetit si Dita e Trashëgimisë Shqiptare etj. Po ashtu edhe George, Ana dhe vajzat e tyre.

“Jemi shumë krenarë dhe të lidhur me rrënjët shqiptare”, thotë Jozefina.

(Ruben Avxhiu/Illyria)

By admini