TIRANE, 3 korrik/ATSH/ – Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Shkodër, ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj dhe homologu i Malit të Zi, Mevludin Nuhodzic, firmosën marrëveshjen për hapjen e një pike të re kufitare në Zogaj, Shkodër.
Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Shqipëri) – Skje (Mali i Zi) do të jetë funksionale për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve.
Pika kufitare është dakordësuar mbi mundësitë për fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit fitimprurës të dyanshëm dhe afatgjatë, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi përmes lehtësimit të qarkullimit në kufirin e përbashkët shtetëror.
Pika e përbashkët e kalimit kufitar do të ndërtohet në territorin e Malit të Zi, në vendin e emërtuar Skje, në rrugën Ostros–Shirokë-Shkodër.
Kalimi i përbashkët do të jetë me një ndalesë, duke thjeshtuar procedurat kufitare. /a.g/ /ATSH/