Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se Hungaria do t’i dhurojë Malit të Zi gardh me gjemba në gjatësi prej 25 kilometrash për ta mbrojtur kufirin e përbashkët me Shqipërinë prej refugjatëve.
Szijjarto, i cili qëndroi në Mal të Zi, tha se vala e refugjatëve në Ballkanin Perëndimor ka filluar të rritet dhe t’i ngjajë situatës në vitin 2015.
Ministri hungarez tha se kanë marrë informacione se gjendja në Greqi është edhe më e keqe se ajo e vitit 2015, ndërsa theksoi se për dallim nga situata e para tre vjetësh, vala e refugjatëve ndikon edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Szijjarto më tej tha se refugjatët kanë krijuar rrugë të reja dhe shprehu mbështetjen e shtetit të tij për Malin e Zi në menaxhimin e situatës.
“Është në interes të Budapestit që Mali i Zi të ruajë kufijtë e tij. Forcat policore janë dakorduar për t’i siguruar Podgoricës tel me gjemba në gjatësi prej 25 kilometrash për ta ndaluar imigrimin ilegal dhe për ta ruajtur zonën më të prekshme të kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë”, shtoi ministri hungarez, përcjell KTV.
Përndryshe Hungaria ishte një prej shteteve të para anëtare të BE-së që kishte mbyllur kufijtë e saj për refugjatët. Hungaria ka kundërshtuar edhe sistemin e kuotave të Bashkimit Evropian për pranimin e refugjatëve, megjithëse vendi ishte paraparë të pranonte 1.294 persona.

