Nga Hilmi GASHI – Politolog, Gjermani

 

Në Kosovë ka disa vite që është duke u zhvilluar një politikë, e cila përditë e më shumë po e damkosë Shtetin e ri euro-atlantik të Kosovës, është duke u luajtur me moralin dhe ndërgjegjen e qytetarëve të saj.

Sigurisht dihet se në Kosovën tonë me 20 vjet liri e 10 vjet pavarësi ende funksionojnë (edhe hapur) shërbime të fshehta nga shtete mike dhe armike të Kosovës, pasi atyre po iu lejohet një terren i lirë për të realizuar qëllimet e vendimet e shteteve të tyre. Këto shërbime arrijnë deri në ekstremitete duke kindapuar dhe ekstraduar nga territori sovran i Kosovës njerëz vetëm pse kanë bindje të tjera politike nga pushtetarët në shtetet prej nga ata vijnë.

Absurd, i pafalshëm, i dënueshëm është akti i vendimit dhe mënyra e veprimit për marrjen (rrëmbimin) nga Prishtina të gjashtë qytetarëve turqë me leje-qëndrimi në Kosovë dhe dërgimin (deportimin) e tyre në Turqi, mbi të cilët rëndon akuza e pabazuar dhe e paprovuar si “të lidhur me lëvizjen gyleniste”(!)

Kjo përbën një shkelje të patolerueshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pikërisht të nenit 43 të saj: “Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente”. Pra, nuk kishte asnjë vendim gjyqësor për “dëbimin” e tyre nga Kosova (!)

Presidenti Thaci e Kryeministri Haradinaj folën për “deportim” të 6 të huajve turqë nga territori i Kosovës, por “Ligji për të Huajt” në Kosovë nuk e ka të shkruar askund konceptin e aktin e deportimit të shtetasve të huaj, përvecse “largimit” apo “dëbimit” të tyre. Ligji nuk flet askund as për për procedura të tilla me të cilat u veprua në rrëmbimin e dorëzimin e tyre në Turqi.

Ky vendim në dijeni e me miratimin e kujtdo që të jetë nga zinxhiri shtetëror i AKI e Ministrit të Brendshëm dhe deri në piramidën e lartë të shtetit të ri të Kosovës, po qartësohet kthjelltë se ky vendim është marrë për interesa personale të dikujt apo shumkujt dhe është kundër interesit shtetëror të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Aq më keq e më rëndë kur për këtë cështje kaq madhore që ka të bëjnë dhe me marrëdhëniet mes dy shteteve ballkanike e euroatlantike, Kosovës e Turqisë,  që ka të bëjnë me vetë shtetësinë e Kosovës, nuk është informuar Kryeministri i Kosovës as nga AKI, as nga Ministri i Brendshëm, nga askush në strukturat juridike-kushtetuese të Kosovës. Kjo e përjashton Kryeministrin nga përgjegjësitë e tij kushtetuese të postit të lartë, të funksionit të tij shtetëror mandator, por kjo flet dhe për një rrezik të madh se paska një tjetër sistem vendimmarrës që përjashton Kryeministrin e Kosovës (pavarësisht emrit e mbiemrit të tij). Pra, kështu, në këtë rast vendimarrje të tilla, me procedura e akte të tilla, përjashtohet me ose pa qëllim direkt apo indirekt dhe vet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Arrestimi i paprecedent dhe deportimi i dyshimtë e ekstrem i 6 shtetasve turqë me leje-qëndrimi në Kosovë përbën dhe shkelje të të drejtave të njeriut, si të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (OKB, 1948) me akte e pakte të saj në vite të mëvonshme; të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (1950) me protokollet e saj; të Kartës Themelore të të Drejtave të Bashkimit Europian (2000), etj.

Ky vendim gati “i nëndheshëm” në protokoll e procedura, me veprimet e aktet e kryera në rrëmbimin e deportimin e 6 shtetasve turqë nga Kosova në Turqi  nuk mund të konceptohet e as trajtohet nga askush, nuk mund të hidhet asnjëherë, si një njollë e zezë mbi shqiptarët e Kosovën.

Kryeministri aktual i Kosovës, i zgjedhur nga Koalicioni i sotëm Qeverisës, i ka shkarkuar drejtuesin e AKI-së dhe ministrin e Brendshëm të Qeverisë së tij për veprimet e mosinformim prej tyre, por kjo nuk e përjashton krejtësisht nga përgjegjësia shtetërore e morale të parin e Qeverisë dhe nuk mund të fshihet kaq hapur pesha e përgjegjësia e tij apo të tejkalohet kaq shpejt e kaq lehtë ky skandal qeveritar, i Koalicionit Qeverisës.

Ndaj, duke marrë parasysh gjendjen aktuale politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovën tonë, duke parë rrezikun e madh të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë, duke e provuar rënien e Kushtetutës së Kosovës e Ligjshmërisë Juridike të saj (precedenti i deportimit të 6 shtetasve turqë, etj.) mbetet obligim qytetar madhor që Lidhja Demokratike e Kosovës të dërgojë vendin e saj në zgjedhje të parakohshme, t’iu kërkojë qytetarëve të Kosovës votëbesimin mandator për t’i udhëhequr drejt Bashkimit Europian, në NATO, KE e OSBE dhe deri në OKB, si një vend me ekonomi stabile dhe me një siguri të plotë në të gjithë territorin e saj ,si dhe për qytetarët e saj.

 

Hilmi GASHI

Politolog, Gjermani

By admini