E kuptoj plotësisht revoltën dhe zemërimin e qytetarëve ndaj vendimeve të qeverisë shqiptare lidhur me vendosjen e tatimit( tarifës) në Rrugën e Kombit, tatim ky i cili konsiderohet i lartë nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve.
Megjithate, nëse dëshirojmë që të jemi pjesë e shoqërive civilizuese mosknaqësit dhe mospajtimet e qytetarëve nuk duhen të manifestohen në mënyrë të dhunshme dhe përmes vandalizmit.
Pamjet shqetësuese të shkatërrimit, zjarrit dhe dëmtimeve materiale, si dhe lëndimet e njerëzëve , që pamë javën e kaluar në sportelet e Rrugës së Kombit, për ne shqiptarët sjellin kujtimet e kohës së hidhur të vitit famëkeq 1997 në Shqipëri dhe jam i bindur se asnjë shqiptarë me ndjenja atdhetae nuk kënaqet kur sheh që ushtrohet dhunë në mes të shqiptarëve, qofshin ata protestues apo pjesëtarë të organeve të sigurimit.
Ashtu si pjesa më e madhe e shoqërive demokratike, edhe ne shqiptarët duhet të mësohemi që mospajtimet dhe revoltën tonë t’a shprehim , në rend parë përmes kutive të votimit e pastaj pse jo edhe përmes protestave, por vetëm përmes protestave paqësore .
Protesta paqësore si mjet demokratik i shprehjes së mosbindjes qytetare ndaj vendimeve të pushtetmbajtësve lejohet me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe si e tillë konsiderohet si legjitime për arritjen e qëllimeve të caktuara politike dhe shoqërore .
Shpresoj që skenat e javës së kaluar të dhunës, të mos përsëritën më në të ardhmen. Njëkohësisht duhet të bëjmë çmos që si shoqëri por edhe si komb në përgjithësi të përmbahemi nga demonstrimi i dhunës dhe i vandalizmit sepse ato nuk kanë vend dhe nuk mund të justifikohen në asnjë shoqëri demokratike e cila mban zgjedhjet e lira .
3 Prill 2018