Shkruan Albina Osmani Markasheviq

Barazia gjinore në pjesëmarrjen politike është aspekt fondamental i qeverisjes demokratike moderne. Sipas standardeve ndërkombëtare, meshkujt dhe femrat duhet të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje të plotë në të gjitha aspektet dhe nivelet e proceseve politike. Megjithatë, në praktikën tonë është shumë sfiduese për femrat që t’i gëzojnë dhe t’i ushtrojnë këto të drejta. Shkalla e pjesëmarrjes së femrave në politikë si dhe qasja e tyre në vendimmarrje mund të merren parasysh si treguesit kryesorë të barazisë gjinore në një shoqëri. Pjesëmarrja aktive e femrave në politikë është sa një e drejtë aq edhe një domosdoshmëri për shoqërinë. Femrat përbëjnë një potencial të madh jo vetëm numerik por edhe profesional e intelektual.  Barazia gjinore në vendimmarrje duhet të shikohet në kontekstin se a janë femrat në gjendje që të marrin apo të ndikojnë në vendimet publike njëjtë sikurse meshkujt. Edhe pse femrat përbëjnë gjysmën e popullatës në shoqëri, është e paimagjinueshme pjesmarrja e tyre e ulët në politik dhe në jetën publike. Normalisht në një vend ku gati 50% e popullsisë përbëhet nga gjinia femërore, pjesëmarrja në pozicionet vendimmarrëse të gjinive do të duhej të ishte në të njëjtat kuota.

Në shtetin e Malit të Zi janë nxjerrë një varg ligjesh dhe politika të cilat kanë për qëllim arritjen e barazisë së femrave dhe meshkujve në shoqëri dhe menjanimin e pabarazisë gjinore ekzistuese në nivele udhëheqëse dhe vendimmarrje. Në këtë drejtim Ligji zgjedhor partitë politike i detyron që 30% të kandidatëve të jenë të gjinisë femrore në listat e kandidatëve të partive politike. Megjithatë me gjithë ekzistimin e bazës ligjore, kuotave gjinore të cilat garantojnë pjesëmarjen e femrave në të gjitha proceset vendimmarëse, kyçja e tyre reale është ende e kufizuar.

Femrat janë të tejkaluara nga meshkujt thuajse në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike. Një ndër arsyet kryesore kontribuese në marigjinalizmin e femrave në skenën politike është mungesa e vullnetit politik të lidershipit partiak në listat e tyre. Kuota e 30% në vetëvete nuk është e mjaftueshme për të siguruar pjesëmarjen e barabart të femrave. Partitë politike janë duke përdorur mënyrën për të anashkaluar këtë detyrim në mënyrë që 30% e kandidatëve femra t’i vënë në fund të listave ose në rënditjet që nuk kanë kalueshmëri, të cilat në përzgjedhjet përfundimtare të mandateve të fituara të kandidatëve, redukton ndjeshëm numrin e deputetëve dhe këshilltarëve.

Partitë politike janë çelësi për avancimin e pjesëmarrjes së plotë të femrave në procesin politik. Themelimi i forumeve të grave brenda këtyre partive ose rënditja e tyre në fund të listave të tyre partiake nuk mjafton. Partitë politike duhet të zhvillojnë mundësi reale që femrat të marrin role udhëheqëse dhe vendimmarëse. Praktika dëshmon se shpeshherë ndodh që inkuadrimi i femrave në partitë politike të vendit të bëhet vetëm për ngjyrim dhe dekor gjinor, dhe shumë rallë ndodh që ato të kandidojnë për poste të larta. Këto dhe qëndrime të ngjajshme jashtëzakonisht kontribojnë në gjendjen aktuale ku femrat në Mal të Zi e përbëjnë shumicën e popullatës me 50,6% dhe me sukses të kryerjeve të fakulteteve 60,5% në krahasim me meshkujt (39,5%).

Kur është fjala për pozitën e femrës në vendimmarje në komunën e Ulqinit shikuar historikisht kemi disa ndryshime pozitive. Dhe se këto ndryshime kanë arritur falë angazhimit të palodhur të vet femrave, por duhet pranuar se tek ne mungon gatishmëria e shoqërisë për ta emancipuar femrën në vendimmarje si në pushtetin politik ashtu edhe në pushtetin ekzekutiv. Pjesëmarja e femrave në pushtetin lokal, në pozitat vendimmarëse, në udhëheqësin e partive politike në përgjithsi e veçmas shqiptare është minimale. Të dhënat dhe analizat tregojnë për një pozitë jo të favorshme të femrës, femra në komunën tonë është e margjinalizuar, dhe se shumë pak u ofrohen shanset për ekuilibër gjinor, ndërsa për barazi gjinore nuk bëhet fjalë. Fakti se listat e zgjedhjeve të fundit kanë përmbajtë 30% femra këto femra pas zgjedhjeve u zhdukën nga skena politike?! Pra femrat përdoren si “dekor” në listat zgjedhore nga ku merret një numër i madh i votave. Brenda organeve të Vetëqeverisjes lokale diskriminimi gjinor është i tërësishëm. Numrat dhe faktet tregojnë se ky është pushtet i plotë i meshkujve dhe këtu për femrën, aftësitë dhe profesionalizmi saj nuk ka vend. Është më se e qartë se meshkujt zgjedhin njëri- tjetrin dhe se në vetëqeverisjen lokale femrave u takon një përqindje edhe më e ulët se 15% ku nga 16 vendeve udhëheqëse vetëm 2 vende u takojnë femrave.

Shteti i Malit të Zi ka implementuar ligje, konventa të ndryshme ndërkombëtare për avancimin e rolit të femrës si dhe ngritjen e përfaqsueshmërisë së femrave në politikë. Mali i Zi ka një strukturë ligjore mjaftë të avancuar për barazinë gjinore, duke u nisur nga Ligji për Barazi Gjinore, Ligji kundër Diskriminimit si dhe Plani Kombëtarë i Veprimit për Barazi Gjinore si dokument më i randësishëm në ketë fushë që është miratuar 2014, ku si rregull i ri që obligon partit politike përveç 30% të kandidatëve, çdo i katërti person, në renditjen e listës së partisë, duhet të jetë një person i gjinisë femrore. Megjithatë, ajo çka shihet në letër, nuk është gjithmon e njëjtë në praktikë. Me gjithë përpjekjet për fuqizimin e femrës në vendimmarje, kjo ende mbetet ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet shoqëria në Mal të Zi.  Femrave në skenën politike ende nuk iu besohen poste të larta udhëheqëse, dhe fajtor kryesor për këtë janë vetë partitë politike të cilat të shtyra nga stereotipet dhe mendimi regresiv se zgjedhjet fitohen bindshëm vetëm nga meshkujt, i margjinalizojnë anëtarët e tyre të partisë të gjinisë femrore  duke i’u zbehur mundësinë për të shtyrë procese të rëndësishme përpara dhe për të marrë vendime të rëndësishme.

Përfundimisht, jam më se e sigurtë se femrat në pushtet nuk mund ta krijojnë një situatë më të rëndë se sa që kemi tani. Margaret Thatcher, ish kryeministre e Britanisë së Madhe e përmbledh bukur këtë argument duke shtuar se “ në politikë, nëse kërkoni fjalë pyetni meshkujt, nëse kërkoni punë, pyetni femrat”. Populli është lodhur me fjalë, kërkon punë dhe vepra konkrete!

 

 

 

By admini