Kosova nderon oficerin e lartë shqiptaro-amerikan, detektivin e klasës së parë Xhevat Kraja.Oficeri i lartë, detektivi i klasës së parë i policisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptaro-amerikani Xhevat Kraja, zyrtar i lartë i ICITAP-it nga ShBA-ja, pranë drejtorit të Policisë së Kosovës, nga ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot (më 23 dhjetor) është dekoruar me “MEDALJEN PËR MERITA”.

Ky dekorim është më shumë se meritor dhe i qëlluar, sepse bëhet fjalë për një kuadër të lartë të Akademisë Policore Amerikane, i cili që në përfundim të luftës ka ardhur më 10 korrik 1999 me 20 policët e parë amerikanë, para kontingjentit të parë në Kosovë, në kuadër të Policisë së Kombeve të Bashkuara dhe, duke qenë Advance Team, ka vendosur themelet e Policisë së Kosovës, më pas edhe ka drejtuar e komanduar njësitet e para të saj.

Populli ynë në përgjithësi dhe Policia e Kosovës në veçanti gjithmonë do të jenë mirënjohës për kontributin e madh që kanë dhënë dhe po japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimin e Kosovës dhe ecjes së saj përpara.

Xhevat Kraja ka kryesuar Task Forcën e Ballkanit në byronë e Inteligjencës së Policisë së Nju Jorkut.

Angazhimi permanent e profesional i Xhevat Krajës në vendosjen e rregullit dhe të disiplinës në Policinë e Kosovës dhe zbatimin e ligjit me vendosmëri e pakompromis, duke sjell praktikat e përparuara amerikane në Kosovë, do të mbeten thesare të çmuara në shkollën, përgatitjen dhe ecjen me sukses përpara të tërë hallkave të rëndësishme të funksionimit normal dhe të domosdoshëm të strukturave të larta të Policisë së Kosovës.

Shumë i dashur dhe i nderuar vëlla Xhevat Kraja,
Nder e krenari për Ty, fëmijët Tuaj, nipërit dhe mbesat, familjen e gjerë dhe brezat që do të vijnë!
Kjo dekoratë është e vogël përballë madhështisë Tënde të pashembullt që përfaqëson personaliteti yt i hekurt shqiptaro-amerikan!
Kraharori Yt meriton të stoliset me medalje edhe më të mëdha!
Kombi ynë e ka për nder ta stolisë gjoksin Tënd me medalje të tjera që ta shpërblejnë gjithë atë dashuri të pakufishme për Atdheun e të parëve tanë!
Urime!

Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 23 dhjetor 2016

/epokaere/

By admini