Nga Frank Shkreli
Ja u mbush viti kur u përhap lajmi pikëllues se Arkipeshkvi i Metropolitanës Tiranë – Durrës, Monsinjor Rrok Mirdita kishte ndërruar jetë pas një operaconi të rëndë në zemër. Ishte një vdekje e parakohëshme dhe e pa pritur që shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kishin njohur atë, jo vetëm në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan ku kishte shërbyer me përkushtim për 20-vjetë — para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe ndër shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare të cilët e kishin njohur gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij prej pothuaj gjysëm shekulli. Me të gjithë, ai kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse, për punën e tij si përfaqsues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine, me përkushtim ndaj fatit të Atdheut të tij dhe shqiptarëve kudo.
Si njëri prej atyre shqiptarëve që u pikëlluan nga humbja e Mons Mirditës, edhe unë si bashkvendas, bashkatdhetar dhe bashkvuajtës në mërgimin e largët — për një kohë edhe bashpuntor i tij pranë Qendës Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington — mbajsha kontakte të rregullta me të. Si i tillë, në këtë përvjetor të parë të ndarjes së tij nga kjo jetë, së bashku me komunitetin shqiptaro-amerikan e ndjejë hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër, jetën e të cilëve ai ka prekur më drejtë për drejtë, në një mënyrë ose në një tjetër, duke lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme në të gjithë ne. Mons Rrok Mirdita, ishte gjithmonë i gatëshëm të shërbente, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por ishte i pranishëm pranë komunitetit dhe me komunitetin edhe në raste të ndryshme familjare, shoqërore, shoqërore dhe atdhetare.
Në këtë pëvjetor të kalimit të tij në amshim, unë dhe të gjithë ata me të cilët Mons Mirdita ka punuar ose që e kanë njohur për së afërmi e kujtojmë, i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt kujtimit të tij, në shënjë nderimi të thellë për miqësinë, këshillat dhe për rolin që ai ka luajtur në jetën tonë këtu në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Shqipëri si udhëheqës i Kishës Katolike shqiptare pas shëmbjes së komunizmit dhe më heret në karieren e tij, në trojet shqiptare nën Malin e Zi. Natyrisht, se ai do të mbahet mend për aktivitetin shumë të frutshëm të tij fetar dhe atdhetar prej dy dekadash këtu në Shtetet e Bashkuara, por besoj se historia do të kujtojë këthimin e tij në Atdhe dhe veprimztrainë e tij fetare në ringjalljen e Kishës Katolike në Shqipërinë post-komuniste, ku siç komentoi edhe Radio Vatikani me këtë rast, ai “Vuri themelet e rilindjes së Kishës Dioçezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirë për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një demokraci të mirëfilltë.”
Mons. Rrok Mirdita e donte popullin shqiptar, të cilit i shërbeu gjithë jetën me durim, largpamësi e përkushtim. Ai e donte popullin shqiptar, sepse me të — nepër rrugët e mërgimit dhe në trojet shqiptare në Ballkan — kishte përjetuar vuajtjet dhe mundimet, të mirat e të këqiat, gëzimet dhe hidhërimet, lindjet dhe vdekjet. Prandaj si Bari e Prijës shpirtëror, në cilatdo rrethana, shpesh tepër të vështira, Mons Mirdita, bëri gjithçka mundi duke i ndjenjur afër dhe duke i prirë popullit në udhën e Zotit e në mbështetje të atyre vlerave shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, që e dallojnë kombin shqiptar, duke theksuar problemet e duke propozuar udhën për t’i bërë ballë sfidave, gjithmonë duke pasur si qëllim e synim të mirën e popullit të vet dhe të Kishës që i shërbente.
Radio Vatikani kujtoi 1-vjetorin e kalimit në amshim të Mons Rrok Mirditës, por ky përvjetor nuk u harrua as këtu në Shtetet e Bashkuara, ku Mons Rrok Mirdita u ka shërbyer mërgimtarëve shqiptarë pa dallim duke u gjend afër tyre për nevojat e tyre familjare, shpirtërore, kulturore dhe atdhetare për pothuaj një çerek shekulli. Të mërkurën që kaloi, Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të New Yorkut mbajti një meshë përkujtimore për të ndjerin Imzot Rrok Mirdita. Para pjesëmarrësve, kujtuan Mons Rrok Mirditën me fjalën e tyre famullitari i kishës Dom Pjetër Popaj, Diakoni Marash Shkreli dhe nipi i Monsinjorit, Edi Mirdita si përfaqsues i familjes. Por fjalën kryesore të rastit e mbajti Tonin Mirakaj, mik i vjetër dhe bashkpuntor i ngushtë i Mons Rrok Mirditës gjatë viteve, i cili ndër të tjera tha:
“Nuk eshtë e lehtë të pranojmë se nuk e kemi më në mesin tonë, mikun, dashamirsin, pjestarin e familjes, udheheqsin guximtar dhe të vendosur. Për shumë prej nesh, bashkëpuntorin e 20 viteve (1973-1993) I cili me dedikim, vullnet dhe dashuri, shërbeu në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Si besimtarë, jemi të vetdijshëm se Imzot Rroku është pranë Atit të gjithpushteshëm të cilit ai i ka shërbyer me korrektesë dhe devotshmëri, të gjithë jetën e tijë.
Imzot Rroku vazhdon të jetojë në kujtimet tona, jeton në historinë e veprës së tijë, në shërbim të Zotit dhe njerëzimit. Jeton në historinë e lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare të New Yorkut. Jeton në historinë e bashkimit të dy Qendrave Katolike shqiptare, bashkim që solli forcën ekonomike, e cila bëri të mundur kalimin nga South Bronx, në një ndër vendet më të preferuara të lagjës Westchester dhe në themelimin e famullisë “Zoja e Shkodres”, me të drejta kanonike dhe ligjore si çdo famulli e vendit – të cilën e gëzojmë na sot e do t’a gëzojnë breza të ardhëshëm të shqiptarëve në New York. Ai jeton gjithashtu në historinë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilës i shërbeu për afër 23 vjet, ku arriti suksese monumentale në ringjalljen shpirtërore të njerzëve, në rindërtimin e Kishës që e gjeti në gjendje të mjerueshme, gati krejtësisht të shkatërruar; në arsim nga shkolla elementar e deri e tek Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, në shëndetsi, klinika, spitale dhe shërbime të tjera sociale. Ai jeton në kujtimin e një populli që vuajti tmerrin e një regjimi të mbrapsht dictatorial komunist, për afër një gjysem shekulli. Dhe ajo që kurorëzon arritjet e veprimtarisë së tij tijë është ndërtimi i Katedrales së “Shën Palit”, në qënder të kryeqytetit të Atdheut tonë, në Tiranë. Përpjekjet e Tija kishin vetëm një qëllim: Ndërtimin e një Shqipërie me Zotin. Një Shqipëri për të gjithë shqiptarët.
Gjatë njoftësisë, bashkëpunimit dhe miqësisë personale me Imzot Rrokun, kam formuar bindje se ai kishte largpamje dhe vizion profetik. E parashifte të ardhëmen me qartësi. Gjithëka e profetizojë u realizua në të dy anët e Atlantikut! Në vizitën e parë që bëri në Shqipëri, mbas rënjes së diktaturës si prift i thjeshtë, Dom Rroku bashkë me mikun e tijë Djakonin Marash Shkrelin, nga një dritare e hotel Dajtit sheh një fushë që në atë kohë ishte bosh. I thotë Shkrelit: ‘Sa i mirë duket ky vend, për një Katedrale’! Në atë kohë nuk i shkonte në mend atij dhe as kujt tjetër se do të ishte pikërisht Dom Rrok Mirdita, ai që pak më vonë do shugurohej Arkipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës dhe se pikërisht aty në atë vend që profetizojë nga dritarja e hotel Dajtit ishte ai që do të ndërtonte Kathedralen e sotëme të Shën Palit!
Imzot Rrok Mirdita kishte veti prej udhëheqsi që në moshë të re. Këto veti ai i përfeksionoi me studime teologjike e filozofike të cilat e pasuruan me një kulturë klasike europiane, që bashkë me vullnetin e tij të çeliktë dhe besimin e pa tundur tek i Lumi Zot, mundi të arrijë suksese të shkëlqyeshme në dobi të Kishës Katolike, në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që gjënden mbrenda dhe jashtë atdheut. Një histori e vertetë, e shkruar eventualisht nga persona kompetent do e shenojë emrin e tijë me germa të arta!
Në një e-mail që më dergojë pak ditë më parë, miku i jonë i përbashkët i perndershmi Dom David Gjugja, mbasi komenton shumë favorshëm për shkrimin : “Imzot Rrok Mirdita, pesonalitet i shquar i Kishes Katolike”, botue këtu, në Shqipëri dhe në faqen e Internetit të Radio Vatikanit, ndër të tjera shkruan:
“Monsinjor Mirdita kishte një njohuri të thellë të historisë së popullit të vendit vet. Jo vetëm historinë, por aj njifte mirë shpirtin e popullit Shqiptar, ja dinte ëndërrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhiët, të mirat dhe të këqijat. Prandej si bari e prijës shpirtëtor,bëri gjithëçka për t’i prirë popullit në rrugën e Zotit, e të atyre vlerave që janë shpirtërore, duke pasë për qëllim e synim të mirën e popullit dhe të Kishës.
Perveç asaj që ka bërë me ju në mesin tuaj e për ju (Për kishen tonë në NY) Monsinjor Rroku do mbetet si Kryeipeshkev largpamës, i urtë, i vendosur, i qëndrueshëm, plot durim, i përzemërt, i afërt, e i matur me të gjithë. Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës dioçesane të Tiranë-Durrësit, në një periudhë jashtëzakonisht të vecantë dhe të vështirë për shume arsye e rrethana, duke orientuar popullin drejt udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një shoqëri demokratike të vërtetë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin dhe me orientimin që i jepte kujdo!”
Ai, ishte dhuratë e Zotit për Kishën, për Shqipërinë, për komunitetin tonë të këtushëm, për familjen, miqët e bashkëpuntorët e tijë. E falenderojmë Zotin që e patëm në mesin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i Imzot Rrokut!
Tonin Mirakaj përfundoi fjalën e tij duke bërë thirrje për organizimin e një simpoziumi shkencor ku do të merrnin pjesë personalitete të shquara të fesë, letërsisë dhe kulturës kombëtare, për të folur më gjërësisht për veprimtarinë fetare, kulturore dhe atdhetare të Imzot Rrok Mirditës, ashtu siç e meriton figura e tij.
Në këtë përvjetor të parë të largimit të Imzot Rrok Mirditës nga kjo botë kujtojmë pra, humbjen e madhe të një udhëheqsi kishtar, i paisur me cilësi të një prijsi të palodhur i pa shkurajuar kurrë përball vështërsive, i hyri punës me gjoks. Si burrë i mirë me shokë shumë, me ndihmën dhe mbështetjen e shumë përkrahsëve, ai kapërceu vështirsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri. Unë, e besoj shumë të tjerë që e kanë njohur ose që kanë punuar me të ndjerin, do të ushqejmë dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkëpunimin e këshillat dhe për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare që la pas – trashëgimi kjo që besoj se do të sjellë punë të mbara, për Kishën Katolike në Shqipëri dhe në dobi afatgjatë për mbarë kombin shqiptar. Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, jo vetëm ne që e kemi njohur, por edhe Kisha Katolike dhe bota shqiptare në përgjithësi, kujton një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjithmonë në përputhje me lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare të shqiptarëve. Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin, si indivdidë dhe si komunitet, kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë mungesën e tij në këtë përvjetor të parë të kalimit të tij në amshim.