BARDHI I DËRGON TELEGRAM NGUSHËLLIMI KRYETARIT TË LËVIZJES VETËVENDOSJE! Visar Ymerit me rastin e vdekjes së aktivistit Astrit DEHARI, në rrethana ende të pazbardhura në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Në telegramin e ngushëllimit, në mes të tjerave thuhet:
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Kryetarit VISAR YMERI
P r i s h t i n ë
I nderuari zotni Kryetar Visar Ymeri,
Vdekja e aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ASTRIT DEHARI, student i Mjekësisë, të shtunën pasdite, më 5 nëntor 2016, në Qenrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana ende të pazbardhura, i cili së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, është arrestuar më 30 gusht 2016, si i dyshuar se ka(në) kryer sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht 2016, na tronditi thellë të gjithëve, anëtarët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe qytetarët e tjerë, shqiptarët në trojet e veta etnike, sot në Malin e Zi.
Zotni Ymeri, pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.
Kjo vdekje është një tragjedi e thellë, jo vetëm për familjen e të ndjerit Dehari e Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por edhe më gjerë. U shua një jetë e një të riu, një aktivisti dhe një mjeku të ardhshëm. Vdekje kjo e cila ndaj institucioneve të Kosovës e atyre ndërkombëtare, dhe jo vetëm, e sidomos para dhe ndaj atyre të Drejtësisë në Kosovë hap një varg pyetjesh, të cilat kërkojnë përgjigje urgjente, të vërteta, të sakta e objektive.
Pasojat e kësaj vdekjeje dhe të kësaj tragjedie mund të jenë të paparashikueshme.
Zoni Kryetar Ymeri, ju lusim që ngushëllimet tona t’ja përcillni familjes së Astritit: babës Avni, nënës dhe farefisit.
Mehmet BARDHI, kryetar i LD në MZ
Në Ulqin, më 7 nëntor 2016