Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2016 -17. Përgatitjet dhe obligimet e shumta të prindërve për të siguruar mjetet e nevojshme shkollore për fëmijët e tyre janë të mëdha. Ne si Ministri e arsimit jemi munduar që sado pak t’i zbusim këto shpenzime.
Unë, kohëve të fundit, kisha shumë telefonata nga prindërit shqiptarë në lidhje me Abetaren kombëtare, sigurimin dhe përdorimin e saj. Siç jeni të njoftuar, që nga viti i kaluar në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, përdoret Abetarja kombëtare, ajo që përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kopjet e nevojshme për vitin që shkoi i kishte siguruar z.Erjon Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës.
Prandaj, dua të Ju njoftoj që edhe në këtë vit shkollor Abetarja kombëtare do të jetë falas për të gjithë nxënësit shqiptarë të klasave të dyta. Ajo do t’u shpërndahet 12 shkollave fillore në Mal të Zi ku mësimi ndiqet në gjuhën shqipe dhe në të dy gjuhët (shqipe dhe malazeze). Në ministrinë e arsimit, shpenzimet për Abetarën i kemi planifikuar në buxhetin e Drejtorisë për arsimin e pakicave për vitin shkollor 2016-17.
Po këtu apeloj tek mësimdhënësit e klasave të dyta që ta përdorin Abetaren. Shumë mirë duhet ta dinë ata se programi i gjuhës shqipe si koncept nuk e përcakton se me çfarë renditjet mësohen shkronjat në klasën e dytë. Autonomia e mësimdhënësit është e qartë, se ata vetë nga programi formulojnë planin vjetor të punës që do ta përdorin gjatë vitit shkollor në vazhdim.
Justifikimet e ndryshme nga individë të caktuar janë joserioze dhe joprofesionale, aq më pak kur vijnë nga ata që Abetaren kombëtare e krahasojnë me një foto album… Natyrisht se këtë e bëjnë për faktin se nuk e njohin vlerën e saj, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe më gjerë.
Duke përfunduar, dëshiroj që të gjithë mësuesve dhe nxënësve t’u uroj fillim të mbarë dhe shumë suksese në këtë vit shkollor!
Sinqerisht!
Marash Dukaj
Drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e arsimit, Ministria e arsimit.