Luftë për pozitën e kryetarit të Ulqinit

Cungu, Nrekiq dhe ministri Simoviq në një nga takimet e mëhershme në Ulqin

Brenda subjekteve politike shqiptare në Ulqin ka aq shumë armiqësi sa që askush as që mendon se ata mund të bashkohen dhe të qeverisin së bashku me Ulqinin. Në këto armiqësi më e keqja është se nuk ka ndryshime programore ose edhe nëse ka, ata janë shumë të vogla për të mos thënë të papërfillshme. Nëse përjashtohet ky si shkak i armiqësive, atëherë nuk mbetet gjë tjetër vetëm që të konludohet se shkak i pakënaqësive në mes tyre janë raportet personale të udhëheqësve të këtyre subjekte politike, shkruan Ulqini Online.

Gjatë fushatës elektorale por edhe pas zgjedhjeve të 4 shkurtit partia e DPS-it ka dalur hapur me dëshirën e tyre që të marrin postin e kryetarit të komunës së Ulqinit dhe të kenë ata timonin e qytetit të Ulqinit. Nëse do të ndodh kjo, ky do të ishte rasti i parë që nga fillimi i sistemit shumëpartiak në Ulqin që kryetari të mos jetë nga subjektet poltike shqiptare.

Nga subjektet politike shqiptare për këtë pozitë lufton edhe Forca e Re Demokratike, e cila është edhe subjekti më i madh politik shqiptar në Ulqin me 8 këshiltarë. Në këtë pikë Forca nuk është se ka qendrim të saktë nëse një gjë të tillë do ta bënte vetëm me subjektet politike shiptare apo edhe me DPS-in së bashku me ta. Në këtë pikë duhet shtuar se kryetari i Forcës në një intervistë për tvmz ka deklaruar se është i hapur për bisedime me subjektet tjera shqiptare.

Dy subjektet tjera shqiptare që kanë garuar në zgjedhjet lokale të fundit, koalicioni ”Zgjohu Ulqin” dhe UDSH, nuk është që kanë pretendime për pozitë të kryetarit të komunës duke parë edhe fuqinë e numrave në Parlamentin lokal të Ulqini. Koalicioni ”Zgjohu Ulqin” me 7 këshilltarë dhe UDSH me 3 sipas të gjitha gjasave do të kënaqeshin që të jenë pjesë e qeverisjes në Komunën e Ulqinit.

Në këtë situatë, në pozitë  më të lalmueshme për bisedime mbetet DPS i cili duke ditur armiqësitë në mes subjekteve shqiptare do të ketë mundësinë e zgjedhjes së njërës anë kundrejt tjetres eventuale dhe se kjo do të shkonte në favor të tyre duke e rritur pozitën në bisedime për ndarjen e pozitës së kryetarit por edhe pozitave tjera.

E vetmja mundësi që kryetari i Komunës të jetë nga subjektet shqiptare në situatën aktuale është i lidhur me strategjinë që dë të ndjekë DPS dhe se si ata do ti qasen zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Kësaj të diele në dy vendvotime do të mbahen rivotime për shkak të një vendimi të tillë të Komisionit shtetëror zgjedhor që më së shumti  po shihet si marrje kohe se sa që do të ketë ndryshime thelbësore të rezultatit.