Akad. Nikë GASHAJ
Çështja e kombit dhe e identiteti kombëtar zë një vend të rendësishëm në shumë disiplina shkencore: politologji, sociologji, histori, antropologji. Është e pamundur të përgjithësohet dhe të jepet një përkufizim i kombit, domethënë të identitetit kombëtar, i cili do të ishte i vlefshëm në të gjitha rrethanat dhe për të gjithë…
Një komb duhet analizuar gjithmonë në një kontekst më të gjerë shoqëror: kulturor, arsimor, gjuhësor, politik, ekonomik dhe historik. Në teorinë politike ka këndvështrime dhe qasje të ndryshme kur bëhet fjalë për kombin dhe identitetin kombëtar. Në parim dallohen dy lloje ndarjesh: kombet etnike dhe kombet civile(qytetare). Megjithate, ekzistojnë edhe përqasje dhe përkufizime të tjera të identitetit kombëtar, si: esencialist, konstrusionist, spiritualist, primordialist, situacionist, instrumentalist etj.
Shembull i kombit civil është Amerika. Ndërsa, kombet etnike janë në Evropën Lindore dhe në Ballkanin Perëndimor. Disa njohje shkencore tregojnë se kombet civile(qytetare) nuk mund të ekzistojnë në këto vende, për shkak të zhvillimit të tyre specifik kulturor dhe historik.
Si rregull, një komb etnik duhet të ketë origjinë, histori, gjuhë dhe kulturë të pëbashkët. Por, në realitet, ka raste kur të gjithë ata që flasin të njëtën gjuhë nuk formojnë një komb të përbashkët, por disa kombe kanë të njëtën gjuhë. Disa shkencëtarë theksojnë se një gjuhë në kuptimin lingvistikë për të qenë e veçantë duhet të ndryshojë së paku 60 për qind nga një gjuhë tjetër apo gjuhë të tjera.
Kombet nuk kanë një histori të gjatë. Kombi i parë Evropian, Franca, u krijua në fund të shekullit të 18-të, dhe vetëm pas kësaj filloi procesi i krijimit të kombeve në Evropë, kështu për shembull kombi gjerman u formua në mesin e shekullit 19-të. Në atë kohë nuk kishte kombe sllave të jugut: “popullsia, kryesisht ishte fshatare dhe identifikohej me komunitetin e fshatit, me pronarin e tokës, me fenë, ndoshta me perandorin, por jo me ndonjë komb”( Mappes – Niediek 2005: 125).
Në bazë të shembullit të kombëve të përmendura të Evropës Perëndimore, filloi krijimi i kombeve edhe te Sllavët e jugut.”Në Evropën Juglindore, ndërtimi i kombit u zhvillua me fillime dhe mbarime të ndryshme gjatë shekujve 19 dhe 20” ( Hosch/Nehring/Sundhaussen 2004: 391). Respektivisht, “procesi i krijimit të kombeve filloi në periudha të ndryshme kohore gjatë shekullit të 19-të dhe vazhdoi thellë në shekullin e 20-të”( Sundhaussen).
Në dritën e këtyre të dhënave, pretendimi për ekzistencën ikonike të kombit ekspozohet si mit. Domethënë, miti që vazhdon në vendet sllave të jugut njihet si qasja primordiale ndaj kombit( Snezhana Kordiq).
Ideja bazë është se kombi në fjalë ka ekzistuar prej kohësh të lashta dhe se historia e tij mund të gjurmohet më shekuj. Mirëpo, problemi me këtë qasje është se ajo qendron në kundërshtim me faktet historike( Breuilly 1999: 241).
Karakteristikat etnokulturore- deklaratat e përkatësisë kombëtare ose etnike, gjuha amtare, feja janë çështje të rëndësishme në bashkësitë shumëkombëshe, shumëgjuhëshe dhe shumëfetare, dhe i tillë është Mali i Zi. Të dhënat për karakteristikat etnike dhe etnokulturore të popullsisë së Malit të Zi janë të një rëndësie të madhe në kontekstin e integrimit evropian dhe politikës së mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare.
Tek ne dëgjohet shpesh teza se kombi ashtu si feja është një bindshmëri, pra diçka, që qytetarët janë të lirë ta përkujdesin dhe kultivojnë në jetën e tyre private, por që nuk është detyrë e përkujdesit së shtetit, sepse shteti për atë çështje duhet të jetë”neutral”. Ithtarët e një pikëpamje të tillë e trajtojnë kombin në të njëjtën mënyrë si religjionin, dhe mendojnë se qytetarët mund ta ndryshojnë atë sipas kuptimit dhe dëshirës së tyre nga regjistrimi në regjistrim të popullësisë. Sigurisht, kjo është specifika e shoqërisë malazeze në kërkimin e identitetit, por është dhe një çështje dhe problem i iluminizmit në atë lëmi. Gjegjësisht, ka pushtetarë dhe zyrtarë shtetëror që thonë se qytetarëve sipas legjislacionit shtetëror nuk u duhet të deklarohen për përkatësin kombëtare. Si argument ata e marrin dispozitën e nenit 46, paragrafi 2 të kushtetutës së Malit të Zi, i cili pëcakton: “Askush nuk është i detyruar të deklarojë për bindjet e tij fetare dhe të tjera”. Në të njëjtën kohë, ata me “bindjet e tjera” nënkuptojnë përkatësinë kombëtare. Mirëpo, ky është një keqinterpretim i kushtetutës.
Së pari, Kushtetuta nuk parashikon në anjë dispozitë që qytetarët nuk duhet të deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare. Mendoj se termi komb nuk ishte i panjohur për ligjëvënsin, nëse ai donte ta përcaktonte dhe specifikonte atë.
Së dyti, kombi nuk është bindje, por përkatësi, fakticitet, për të gjithë ata që e kanë të ndërtuar identitetin e tyre kombëtar dhe vetëdijen kombëtare, sepse kombi në shoqëritë bashkëkohore është një kategori konstante, ndërsa bindjet mund të jenë politike dhe filozofike.
Shkencëtari i njohur Horace Kallner thekson: “Njerëzit mund të ndryshojnë pak a shumë veshjet, politikën, gratë, fenë, filozofinë, por gjyshërit nuk mund t’i ndryshojnë”… Mendoj se këtu gjithçka është e qartë dhe se nuk ka nevojë për komente të tjera.

