Foto: SHMK “Vëllazërim-Bashkim” / Facebook

Kryetarja e Këshillit të Shkollës dhe e Këshillit të Prindërve në SHMK “Vëllazërim-Bashkim”, Ardita Rama, ka reaguar pas vizitës së ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka në këtë shkollë, duke bërë publike çështjet dhe shqetësimet që, sipas saj, nuk janë pasqyruar plotësisht në njoftimin zyrtar të takimit.

Më poshtë publikojmë reagimin e plotë të Ardita Ramës.

Plotësim i njoftimit

Meqë njoftimi i publikuar nuk e pasqyron në tërësi përmbajtjen e takimit, e shoh të nevojshme të ndaj edhe disa nga çështjet dhe shqetësimet që ngrita gjatë bisedës me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, z. Fatmir Gjeka. Në cilësinë time si kryetare e Këshillit të Shkollës dhe në prani të drejtoreshës së re, e konsiderova të rëndësishme të shpreh hapur qëndrimin tim lidhur me situatën aktuale.

Fillimisht, i urova mirëseardhjen dhe suksese drejtoreshës së re, duke theksuar se nuk kam asgjë personale ndaj saj dhe se qëndrimi im nuk lidhet me të si individ. Megjithatë, si përfaqësuese e prindërve dhe e Këshillit të Shkollës, e ndjeva si detyrim të ngre një çështje që e konsideroj të rëndësishme për shkollën në përgjithësi dhe, në veçanti, për ruajtjen e cilësisë dhe respektimin e të drejtave të arsimit në gjuhën shqipe.

SHMK “Vëllazërim-Bashkim” është një shkollë me karakter të veçantë, ku rreth 70% e nxënësve e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, theksova se, përveç kritereve profesionale, në drejtimin e një institucioni të tillë duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë njohjes reale dhe funksionale të gjuhës shqipe, si dhe njohjes së kulturës dhe traditës së shqiptarëve që sot jetojnë në Mal të Zi. Kjo nuk duhet të kuptohet si kërkesë për diskriminim apo përjashtim të dikujt për shkak të përkatësisë kombëtare. Bëhet fjalë për një parim që lidhet me karakterin e shkollës, me nevojën për komunikim të drejtpërdrejtë dhe të barabartë me nxënësit, prindërit dhe stafin, si dhe me besimin që duhet të ekzistojë ndaj drejtimit të një institucioni arsimor.

Gjithashtu, ngrita çështjen e respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi. Theksova se këto të drejta nuk duhet të kufizohen vetëm në garantimin e mësimit në gjuhën shqipe, por duhet të reflektohen edhe në funksionimin dhe drejtimin e institucionit. Në një shkollë dygjuhëshe, drejtuesit duhet të kenë njohje të mirë dhe funksionale të të dyja gjuhëve, në mënyrë që të mund të komunikojnë në mënyrë të barabartë me nxënësit, prindërit dhe stafin, duke respektuar gjuhën, kulturën, traditën dhe identitetin e të dyja palëve.

Mendoj se këto janë çështje legjitime për t’u ngritur dhe se diskutimi i tyre duhet të zhvillohet në mënyrë të hapur, institucionale dhe konstruktive, në interes të shkollës, të arsimit në përgjithësi dhe, në veçanti, të arsimit në gjuhën shqipe. Transparenca, respektimi i ligjit dhe komunikimi i hapur janë parime të rëndësishme në një shoqëri demokratike.

Thënë kjo, do të prisja nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave një qasje më të matur dhe serioze, duke pasur parasysh përgjegjësinë që ka kjo Ministri në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Besoj se, përtej vlerësimit të aspektit formal dhe ligjor të një procedure, është e rëndësishme të merret në konsideratë edhe parimi i mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe ruajtja e besimit në institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë këto të drejta. Pikërisht në raste të tilla, institucionet duhet të tregojnë maturi dhe përgjegjësi të veçantë ndaj të drejtave të pakicave.

Duke qenë në përfundim të mandatit tim si kryetare e Këshillit të Shkollës, e shoh si përgjegjësi që edhe në këtë fazë të shpreh qartë dhe me dinjitet qëndrimin tim për çështje që i konsideroj të rëndësishme për shkollën dhe arsimin. Gjatë gjithë mandatit tim jam përpjekur ta ushtroj këtë detyrë me përgjegjësi, paanshmëri dhe në frymën e bashkëpunimit, duke pasur gjithmonë në qendër të mirën e nxënësve, prindërve dhe të shkollës.

Në të njëjtën frymë, besoj se edhe më tej duhet të ruajmë karakterin dygjuhësh dhe multikulturor të shkollës sonë, duke garantuar respekt të barabartë për të gjithë dhe duke i kushtuar vëmendjen e duhur zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe, si dhe ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi.

Dua të besoj se ky diskutim do të shërbejë si një kontribut konstruktiv për një bashkëpunim edhe më të mirë dhe për një shkollë ku multikulturalizmi dhe dygjuhësia nuk mbeten vetëm parime të shkruara, por respektohen dhe jetohen në praktikë.

Ardita Rama

Kryetare e Këshillit të Shkollës dhe Kryetare e Këshillit të Prindërve

By admini

Leave a Reply