
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i është përgjigjur reagimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MAShI), e cila njoftoi se nuk janë të sakta pretendimet se drejtoresha e shkollës të mesme në Ulqin nuk e flet gjuhën shqipe.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjeloshaj i bëri thirrje ministres Agjđela Jakshiq Stojanoviq që së bashku të vizitojnë Gjimnazin e Ulqinit dhe para mediave të zhvillojnë një bisedë në gjuhën shqipe me drejtoreshën.
“Që nesër të vizitojmë së bashku Gjimnazin e Ulqinit dhe, para mediave, të bisedojmë me drejtoreshën në gjuhën shqipe, në përputhje me nivelin B2, për programin që ajo i ka paraqitur Ministrisë dhe për planet e zhvillimit të shkollës për katër vitet e ardhshme”, shkroi Gjeloshaj.
Ai deklaroi se do të japë dorëheqje dhe do t’i kërkojë falje publike ministres nëse drejtoresha në gjuhën shqipe paraqet programin e saj dhe u përgjigjet pyetjeve në nivel që korrespondon me njohjen B2 të gjuhës.
“Nëse në gjuhën shqipe e paraqet programin e saj dhe u përgjigjet pyetjeve në nivel që i përgjigjet njohjes B2, menjëherë jap dorëheqje dhe kërkoj falje publike”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Gjeloshaj tha se nëse rezulton se drejtoresha nuk e zotëron atë nivel të njohjes së gjuhës shqipe dhe se opinioni publik është vënë në lajthitje, ai pret dorëheqjen e ministres dhe të drejtoreshës.
“Nëse rezulton se ajo nuk e zotëron atë nivel të njohurive dhe se opinioni publik është vënë në lajthitje, pres dorëheqjen tuaj dhe dorëheqjen e drejtoreshës”, shkroi ai.
Në fund të postimit, Gjeloshaj tha se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për pretendimet e tij dhe pret të njëjtën gjë nga ministrja.
Reagimi i tij vjen pasi MAShI deklaroi se janë të pasakta pretendimet e Nik Gjeloshajt se drejtoresha e shkollës së mesme në Ulqin nuk flet gjuhën shqipe, duke theksuar se drejtorët e shkollave zgjidhen në bazë të njohurive, kompetencave, përvojës dhe rezultateve të arritura në procedurën e parashikuar me ligj.
