Institucioni kulturor në objektin privat

Nga Ali Salaj

Hapja e librarisë-bibliotekë në Anë të Malit u cilësua me eufori si “një akt i madh kulturorë”, ku siç u tha, “synon të jetë një vatër e dijes dhe kulturës”. Hapjen e bënë kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe kryetari i KKSH-së, Faik Nika, të cilët njëkohësisht hapen edhe fushatën zgjedhore për pushtetin vendor në një zonë të rëndësishme elektorale. Kuptohet se hapja e një librarie, qoftë edhe në epokën e internetit dhe të librit elektronik, është i rëndësishëm për identitetin e një kombi, por vetvetiu lind pyetja: pse një institucion i tillë hapet në një objekt privat?!

Në vend që të riparohet salla e Kinemasë dhe biblioteka e dikurshme në qendër të Katërkollës dhe aty të hapet libraria, zyrtarët vendorë vendosin që kjo të bëhet në një objekt privat. Në vend që të meremetohet Shkolla e Vjetër e Katërkollës dhe të shndërrohet në një muze dhe librari-bibliotekë, si simbol i arsimit të kësaj zone, zyrtarët vendorë megjithatë përcaktohen për pronën private.

Pse ndodhë ky veprim i kamufluar politik te shqiptarët në Anë të Malit? Sepse logjika e funksionimit të politikës aktuale bazohet në përkatësinë partiake ku militantëve të partisë u bëhen favore në forma të ndryshme, përfshirë edhe  qiramarrjen e pronave private për ti kënaqur apetitet e tyre. I tillë është rasti i librarisë, ku djali i pronarit është i pozicionuar në strukturat e larta të  partisë në pushtetin vendor-Forca. Kësisoji, përkatësia partiake është bërë roli kryesor për interesat e ngushta politike dhe private pa u frikësuar se kështu krijohet hapësirë për abuzim dhe korrupsion.

Ky nuk është rast i izoluar në Anë të Malit, por këto veprime janë shndërruar në një dukuri të rëndomtë. Kështu zyra e SHPK „Ujësjellësi dhe Kanalizime“ dhe Njësia e Zjarrfikësve në Katërkollë po ashtu janë sistemuar në objekte dhe prona private. Edhe pse objektet e zgjedhura nuk i plotësojnë as kushtet elementare të veprimtarisë së tyre, megjithatë fal interesave të ngushta politike dhe private këto institucione po keqmenaxhohen duke nënkuptuar edhe korrupsionin e heshtur. Këto ndërmarrje dhe asetet e tyre kanë mundur të vendosen nëpër objektet shtetërore, siç janë një varg barakash pranë Postës së Katërkollës, të cilat si pasojë e neglizhencës  janë shndërruar në deponi private.

Është paradoksale që Komuna e Ulqinit, vite më parë, e ndau një parcelë toke falas në qendër të Katërkollës, duke u angazhuar në ndërtimin e Shtëpisë së Pensionistëve, por që asnjëherë kjo shtëpi nuk e pati atë destinim. Ky objekt i ndërtuar në mënyrë të shëmtuar, asnjë ditë nuk iu shërbeu pensionistëve por u dha me qira për tu shndërruar në një bastore dhe kafene fshati. E gjithë kjo tregon se zyrtarët vendorë nuk po e luajnë rolin e duhur në kujdesin ndaj qytetarëve përmes ofrimit të shërbimeve administrative efikase, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës publike, si dhe përmirësimit të cilësisë së jetës. Duke mos patur transparencë në përdorimin e fondeve publike në asetet dhe kontratat e ndryshme, potencialisht këto veprime konsiderohen si të dyshimta dhe të dëmshme për qytetarët. Keqpërdorimi i fondeve publike dhe nepotizmi po e dobëson besimin te institucionet komunale dhe pengon zhvillimin ekonomik të zonës së Anës së Malit.

By admini