
Me dhimbje është pritur lajmi për ndarjen nga jeta, në moshën 76-vjeçare, të Martin Zadrimës, një prej figurave të njohura dhe më të respektuara të arsimit në qytetin e Ulqinit. Arsimtar Martini u dallua për dekada të tëra si mësues i lëndës së Biologjisë në Shkollën Fillore “Marshali Tito”, ku la gjurmë të thella jo vetëm si pedagog, por edhe si udhëheqës vizionar dhe njeri i përkushtuar ndaj brezave të rinj, shkruan Ulqini Online.
I njohur për përpikmërinë e tij, për metodologjinë e kohës të mësimdhënies dhe për dashurinë e thellë ndaj profesionit të mësuesit, Martin Zadrima do të mbahet mend nga kolegët dhe nxënësit si një figurë e veçantë në jetën shkollore të qytetit.
Përveç kontributit të tij si arsimtar, ai shërbeu për dy mandate si drejtor i shkollës, duke u angazhuar në ngritjen e cilësisë arsimore dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin pedagogjik.
I qetë në natyrë, por i palëkundur në parime, Martin Zadrima mishëronte figurën e mësuesit të vërtetë – punëtor i palodhur, i drejtë dhe i përkushtuar ndaj dijes. Ata që patën fatin ta njohin, e përshkruajnë si një njeri të urtë, korrekt dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh në komunitetin arsimor të Ulqinit. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë në mendjet e nxënësve që ai edukoi dhe të kolegëve me të cilët punoi ndër vite.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Martin Zadrimën.
Lamtumirë arsimtar!