
Komisioni për çështje politike dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dha një mendim pozitiv për kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në atë organizatë, dhe përfaqësuesja malazeze Maja Vukiçeviq nga DNP e Knezheviqit, votoi kundër, pavarësisht politikës zyrtare të Malit të Zi.
Këshilli i Evropës njoftoi se hapi i radhës pritet më 18 prill, kur Asambleja e plotë Parlamentare do të votohet për opinionin përfundimtar për aplikimin e Kosovës.
Qëndrimi i Vukiçeviqit është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi, i cili mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dhe me marrëveshjen e nënshkruar të koalicionit për formimin e qeverisë së re, e cila parasheh respektimin e plotë të politikave të partnerëve perëndimorë.
Partia Popullore Demokratike (DNP), anëtare e së cilës është Vukiçeviq, ka njoftuar më herët se ka mbështetjen e plotë për të votuar kundër pranimit të Kosovës në PSSE.
Në një prononcim për tabloidin serb Alo dje, Vukiçeviq tha se për këtë vendim ka përkrahje nga qytetarët e Malit të Zi.
“Edhe ajo që është interesante është se asnjë nga subjektet politike nuk reagoi ndaj kërcënimeve të bëra ndaj meje, gjë që flet shumë për standarde të dyfishta, sepse dikur dihej se reagonte ndaj komenteve shumë më të padëmshme”, shtoi Vukiçeviq.
Ajo tha se pranimi i Kosovës në PSSE “do t’i hapte rrugën territoreve të tjera kontestuese për të kërkuar anëtarësim në institucionet ndërkombëtare”.
“Këshilli i Evropës është aleancë e shteteve dhe në skenën ndërkombëtare nuk ka konsensus nëse Kosova është shtet. Kosova nuk njihet si shtet nga gjysma e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shtetësinë e Kosovës nuk e kanë njohur pesë vende të Bashkimit Evropian, kështu që do të ishte precedent serioz nëse Kosova do të pranohej” – tha ajo.