Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës për të parandaluar një konflikt më të madh Kosovë-Serbi. Rama tha se një kërkesë të tillë e ka bërë edhe në Samitin e NATO-s, madje sipas tij një gjë të tillë po e kërkon edhe Kosova, derisa nuk ka dëgjuar që po e kundërshton pala serbe.
Në një konferencë për medie në Tiranë, Rama kërkoi nga Bashkimi Evropian të dënojë sjelljen e Serbisë për sulmin terrorist në Kosovë më 24 shtator, derisa tha se e mirëpret deklarimin e presidentes Vjosa Osmani se Kosova në bashkëpunim me ShBA-në duhet të propozojë draftin e Asociacionit.
“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi. Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia , madje disa zëra e kanë kërkuar edhe nga pala serbe, por kjo është puna e tyre, sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon. Këtë e kërkon situata sot, po të ishte bërë më parë nuk do kishte ndodhur kjo që ndodhi dje, pardje, tjetërpardje”, tha ai.
Ai tha se BE-ja nuk ka çfarë hetime të pres për sulmin terrorist në veri, derisa Serbia zgjodhi t’i nderojë të vrarët nga grupi terrorist, duke shpallur ditë zije kombëtare.
Rama nënvizoi sërish kërkesën e tij për ngritje të nivelit në dialogun Kosovë-Serbi në organizimin e një konference ndërkombëtare.
Në anën tjetër, tha se Kosova duhet të propozojë një orë e më parë draftin e Asociacionit brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. /KosovaPress/