Nga Xheladin Zeneli
Kryetari i Komunës së Ulqinit ditë më parë dual me deklaratë ku vlerësoi sezonin turistik 2023 në Ulqin si “shumë të suksesshëm dhe një sezon veror me një rritje prej 20% në krahasim me vitin e kaluar”.
S’ka dyshim se kjo arritje është për çdo lavdatë dhe përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këte sukses, por mendoj se njëkohësisht duhen adresuar edhe të metat, dobësit e këtij sezoni turistik (dhe jo vetëm të këtij sezoni).
Përkundër plazheve, detit, ditëve me diell,bukurive natyrore si dhe çmimeve të volitshme, karaketeristika këto të cilat e kanë bërë Ulqinin të njohur dhe e dallojnë ate nga vendet e tjera bregdetare të rajonit dhe më gjërë, ky qytet ballafaqohet me sfida më të ndryshme të cilat jo vetëm që përsëriten prej një viti në vit tjetër, por që paraqiten si probleme dekada me radhë dhe që kërkojnë zgjidhje.
Do mundohem ti potencoj disa prej tyre në formën e pyetjes ‘deri kur’ .
-Deri kur Ulqini me rruga shumë të ngushta?;
-Deri kur pa trotuare dhe me rrugë shumë të kufizuara për këmbësorë?;
-Deri kur me kaosin e komunikacionit rrugor?;
-Deri kur me kaosin tjetër, ate të parkingut të automjeteve: parking në rrugë, parking në trotuare, parking vend a pa vend, parking gjithëkund?;
-Deri kur me mos ndëshkimin e atyre që thyejnë rregullat e komunikacionit dhe rrezikojnë jetën e të tjerëve në rrugët e hapura?;
Pra, deri kur me mos marrjen e masave të duhura nga organet kompetente ndaj atyre që nuk respektojnë apo atyre që cenojnë rregullat e rendit publik?;
-Deri kur qiradhënësit e dhomave me tabela në duar rrugëve të Ulqinit ( duhet patjetër të egzistojnë dhe të shfrytëzohet një mënyrë tjetër e qiradhënies dhe e sistemimit apo akomodimit të pushuesve)?;
-Deri kur me kanale të hapur me aromë të keqe në njërin anë të Buleveradit Teuta, në një ndër rrugët më të qarkulluara gjatë verës në Ulqin?;
-Deri kur lypësit në rrugët,në restaurantet, në plazhet dhe dyqanet e Ulqinit?;
-Deri kur me urinimet në vende publike (në mungesë të toaleteve publike por edhe në mungesë të edukatës dhe kulturës të atyre individëve që bëjnë vepra të tilla)?;
-Deri kur me hjedhjen e mbeturinave në vende publike, para ndërtesave banesore etj. ( edhe kjo ndoshta në mungesë të numrit jo të mjaftueshëm të konteniereve që mbulojnë qytetin por edhe në mungesë të përgjegjësisë individuale të qytetarëve dhe pushuesve veror në Ulqin)?;
-Deri kur Ulqini me arsyetimet se edhe qytetet e tjera bregdetare në Mal të Zi i kanë të njëjtat probleme?.
Pra nuk mjafton të thuhet se edhe vendet e tjera turistike ballafaqohen me të njëjtat probleme, por duhen gjetur zgjidhje.
Kur bëhet fjalë dhe të flitet për hapësirën e permirësimeve, qyteti i Ulqinit ka shumë për të bërë në këte drejtim.
Ulqini duhet medeomos ta gjej zgjidhjen e këtyre problemeve nëse dëshiron që ta ngrisin nivelin e shërbimeve kualitative dhe me këtë edhe nivelin e turizmit, përndryshe do të vazhdojnë të bëjnë turizëm ‘tallava’ edhe për një kohë të gjatë.
Shtator 2023