
Shoqata kulturore “ULQINI” – Durrës
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Të nderuar,
Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin se miku ynë i madh, Zyhni Beqiri, u nda nga jeta.
Në emrin tim personal dhe në emër të Forcës së Re Demokratike, familjes Beqiri i shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre, kurse komunitetit për humbjen e një miku të sinqertë.
Zyhniun e donte Ulqini, mu ashtu siç e donte ai Ulqinin. Ai frymonte me dëshirën për Ulqinin, duke i dedikuar shumë këngë e shkrime të cilat shprehnin vetëm mall e dashuri. Po ashtu gjatë karrierës së tij të gjerë, edhe si politikan, por edhe si veprimtar kulturor dha shumë kontribut në çështjet kombëtare, e sidomos u angazhua shumë për të mbajtur lidhjet familjare mes Ulqinakëve të Durrësit dhe familjarët e tyre në Ulqin.
Duke qenë shumë mirënjohës për veprat dhe angazhimet e tija jetësore, e në veçanti për lidhjet shpirtërore që kishte me Ulqinin, Zyhni Beqiraj, në prill të këtij viti, e shpallëm “Qytetar Nderi i Komunës së Ulqinit” me motivacion: për kontributin e tij në mbajtjen e lidhjeve familjare, institucionale dhe qenësore në mes të Ulqinit dhe Durrësit; mbajtjen gjallë të traditave dhe identitetit ulqinak në familjet ulqinake të shpërngulura në Durrës, Shkodër e Tiranë; mbledhjen e folklorit ulqinak dhe kompozimin e këngëve të reja lidhur me Ulqinin.
Jemi krenar që ai pati mundësi të shijojë këtë mirënjohje, e cila gjeti një vend të posaçëm mes çmimeve të shumta jetësore.
Pushofsh në paqe, miku ynë i shtrenjtë. Do të kujtojmë çdoherë me dashamirësi.
Me respekt,
Kryetar dhe Deputet në Kuvendin e MZ
Genci Nimanbegu