SHOQATA SHQIPTARO-AMERIKANE, “SKENDERBEJ” NË NJU JORK FESTON 15-VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
FJALA PËRSHËNDETSE
Nga Frank Shkreli
Të dashur vëllëzër e motra të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, të nderuar miq, pjesëmarrës në këtë festim të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Para se të filloj, deshiroj që të përshëndes mikun tonë të madh, të Përndershmin Ambasador William Walker, që gjëndet sot me ne. Zoti Ambasador është vërtetë kënaqësi që je me ne sot këtu. Ju, i nderuar mik, me praninë tuaj, na restauron, na ringjall besimin tonë në këtë vend të bekuar, në Amerikën tonë, në popullin amerikan dhe mbi të gjitha na ringjall besimin në
Njerëzimin. Shumë faleminderit.
Fjalët e para të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës janë: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë…”, thuhet në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, (17 Shkurt, 2008 në Prishtinë).
“Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë.”
Por në veshët tonë sot tingëllojnë edhe fjalët e Naim Frashërit: “Bota që kur është zënë — Shqipëria gjallë ka qenë.”
Të nderuar miq — Në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar — në 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës — le të kujtojmë dhe të përulemi me nderim e respekt para RILINDASVE TË VËRTETË TË KOMBIT, duke filluar me Gjergj Kastriotin-Skenderbe në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët e çdo shqiptari të vërtetë kudo, sot, veçanërisht, jehon edhe kushtrimi i Adem Jasharit, e i Ibrahim Rugovës, por edhe i Bajram Currit, Ded Gjon Lulit, Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit dhe i heronjëve më të ri të Kombit që kanë dhenë jetën në luftën për liri e pavarësi të Kosovës.
Shqiptarët janë ndër të parët e njerëzimit, me një histori të gjatë e cila është e shkruar me penë, por edhe më shumë – ajo histori është shkruar me gjak.
Por, ndërsa festojmë këtë përvjetor sot – duhet të jemi të vetdijtur se çdo gjë, “Bacë nuk është Kry”. Shqiptarët duhet të ndigjojnë edhe ushtimën e kushtrimit të At Gjergj Fishtës për realizimin e shpresave të pa realizuara, kushtrimin për përjetësimin e ëndërrës shekullore të shqiptarëve:
SHQIPNIA E LIRË
Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe Flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik.
Të nderuar miq, duhet të jemi të vetdijshëm se kjo ditë e Pavarësisë së Kosovës i ka rrënjët thellë në historinë dhe vuajtjet shekullore të Dardanisë dhe të Kombit shqiptar. 500-vjet Kosova priti!
Por megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – qofshin ato me njëri tjetrin, për fat të keq tonin, qofshin ato me të tjerët, që nuk ia duan të mirën shqiptarëve — Pavarësia e Kosovës na kujton dhe na jep shpresë sot se Shqiptaria, jo vetëm është gjallë, por është e gjallë dhe e fortë! Prandaj, festoni e gëzoni, por mos harroni!
Se kjo ditë na kujton se shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten shqiptarë me identitetin e tyre historik në trojet e veta autoktone. Aty ku i ka vendosur Perendia në fillimin e historisë!
Kurrë nuk i kemi mbetur kujt në qafë. Kombi shqiptar nuk do asgjë tjetër veçse të jetojë i lirë e i pavarur në trojet e veta, në shtëpitë e veta pa asnjë lakmi ndaj tokave të tjerëve — në harmoni me njëri tjetrin dhe në paqë me të huajt, për rreth.
Zonja dhe Zotëri — Sot urojmë, lutemi dhe shpresojmë për ditë më të mira për Kombin e vuajtur shqiptar dhe për Kosovën. 15-Vjetë Shtet – Për Jetë! Shqiptari nuk mund dhe nuk guxon të jetë indiferent ndaj fatit të shqiptarëve kudo! Tirana zyrtare……
Të nderuar miq, le të brohorisim të gjithë — që sot e përgjithmonë: Rroftë Flamuri, Rroftë Kosova e Pavarur, Rroftë Shqipëria. Zoti bekoftë Kombin Shqiptar dhe Kombin Amerikan, në miqësi të përherëshme me njëri tjetrin!
Përzemërsisht, falënderoj Shoqatën Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, për ftesën! Qofshi gjithmonë faqebardhë!