OJQ Horizonti i Ri realizon projektin “Komunikimi ndërkulturor i të rinjve: sfidat dhe mundësitë” i cili synon edukimin e të rinjve nga Ulqini për ndërkulturalizmin dhe fuqizimin e tyre për të promovuar kulturën e tolerancës, pranimin e diversitetit dhe respektimin e të të drejtave të njeriut.
Prania e distancës etnike në Mal të Zi që vihet re në shumë studime dhe hulumtime të viteve të fundit, obligon shoqërinë e veçanërisht sektorin civil, të veprojnë pa ndërprerë me qëllim që ta reduktojë sa më shumë atë. Padyshim që nga kjo situatë më së shumti preken popujt pakicë.
Prandaj, Horizonti i Ri inicioi këtë projekt për të promovuar bashkëpunimin ndërkulturor midis të rinjve me qëllim të zvogëlimit të distancës etnike dhe praktikimit të ndërkulturalizmit në jetën e përditshme, për të krijuar një mjedis të sigurt, tolerant dhe kreativ në komunitet.
Gjatë implementimit të projektit do të punohet me të rinj, me qëllim që të formohet një grup liderësh të ardhshëm me kompetenca të përforcuara ndërkulturore, duke u fokusuar në dy dimensione kryesore të edukimit ndërkulturor: respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i diversitetit.
Projekti synon të inkurajojë të rinjtë në Ulqin që të bëhen iniciues të dialogut ndërkulturor dhe qytetarisë demokratike.
Në kuadër të këtij projekti do të publikohet një botim dygjuhësh në formën e një udhëzuesi ndërkulturor me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin e konceptit qytetar të shoqërisë në të cilën diversiteti kulturor, etnik, gjuhësor dhe i çdo lloji tjetër konsiderohen vlera dhe ku qytetarët nëpërmjet edukimit përfitojnë dhe fuqizojnë kompetencat ndërkulturore.
Në fund të projektit, do të realizohet një fushatë edukative dygjuhëshe përmes së cilës të rinjtë do të përcjellin mesazhe për tolerancën, barazinë, respektimin e diversitetit dhe mosdiskriminimin.
Ky projekt mbështetet nga Ministria e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave e Malit të Zi në kuadër të konkursit publik për financimin e projekteve të OJQ-ve për vitin 2021, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.