E jashtëzakonshme. Mahnitëse. Kosova e ka edhe medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Është xhudistja Nora Gjakova që të hënën ka arritur suksesin që e lakmojnë edhe superfuqitë botërore të sportit. Ajo ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri 57 kilogramë.
Të shtunën, në ditën e parë të Lojërave në Tokio, titull olimpik kishte fituar Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë. Dhe tani Kosova i ka tri medalje të arta olimpike, falë ekipit të xhudos, të vogël në numër por të madh me vepra. Majlinda Kelmendi kishte fituar të artën në kategorinë deri 52 kilogramë në Rio 2016.
Majlinda, Distria, Nora e kanë një të përbashkët. Kreatorin e suksesit. Trajnerin Driton Kuka. Njërin prej më të mëdhenjë në botë sa i takon xhudos.
Nora në finale e mposhti francezen Sarah Leonie Cysique. Deri te finalja i kishte tri fitore. Ishte bartëse e tretë, por shkoi deri në fund. Dhe në fund ngriti duart lartë në shenjë gëzimi. Është një sukses i jashtëzakonshëm për Norën, xhudon kosovare dhe gjithë shtetin e Kosovës.
Ajo ka prekur kulmin në sport dhe ka kompletuar një karrierë të madhe. Por synon edhe shumë.
Nora nisi me fitore ndaj Sanne Verhagen të Holandës. Vazhdoi me fitore ndaj sllovenes Kaja Kajzer. Në gjysmëfinale arriti fitoren ndaj kundërshtares më të fortë të mundshme, japonezes Tsukasa Yoshida.
Dhe me triumf në finale siguroi tjetër titull për Kosovën. Vetëm Japonia është më e suksesshme se Kosova në garën e xhudos në këtë Olimpiadë.
Falë xhudisteve dhe trajnerit Driton Kuka, Kosova po del të jetë e madhe në ngjarjen kryesore sportive. Shumë e madhe madje. /KohaNet/