Nga Gjekë Gjonaj

Me madhështinë që i karakterizon 7 dhe 8 marsi  janë data të shënuara ,  të rëndësishme dhe të bukura. Janë ditë të veçanta  kur mësuesit dhe gratë   marrin  më shumë vlerësime  nga të gjitha ditët e tjera.   Është një ditë që ata e presin  me gëzim dhe ky gëzim shprehet në fytyrën e tyre.  

Dje kemi kujtuar  134- vjetorin e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe dhe laike. Gjithashtu  kujtuam të  gjitha sakrificat e mëdha që po bëjnë mësuesit, në këto kohë të vështira pandemie. Në këtë ditë kujtuam mësuesin tonë të parë, emrin e tij, këtë figurë të rëndësishme, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e karakterit tonë.

Sot është dita të vlerësojmë arritjet për gratë, nënat, motrat dhe  vajzat tona, por edhe të reflektojmë për mbështetje më të madhe për to. Këtë vit   mësuesit dhe gratë e Komunës së Ulqinit i pritën krejtësisht ndryshe nga vitet e tjera, në një realitet të ri  dhe me shumë sfida.  Pandemia i befasoi të gjithë, pra edhe mësuesit dhe gratë e këtij qyteti , disa prej të cilëve  në betejë me këtë virus vdekjeprurës humbën më të afërmit e tyre, miq, shok, e  kolegë. Në një atmosferë  pikëllimi , kur Ulqini  vetëm brenda dy ditëve  të fundit  mbeti pa 6  bijë e bija të tij,  këto dy festa  ishin ditët më të vështira  për mësuesit dhe gratë e këtij qyteti.    

Në këtë kohë lufte  me pandeminë,  me rregulla të ashpra, të cilat nuk  lejojnë qarkullimin e lirë  të popullatës, urimi i sivjetshëm i mësuesve dhe grave  është  të kenë shëndetin   dhe  të jenë të fortë,  t’i përballojnë kësaj të keqe kolektive, e cila në këtë qytet mori dhjetëra jetë njerëzish. 

Urojmë që mësuesit dhe gratë shqiptare-ulqinake   të kenë shëndet e sukses  të plotë në punën e tyre fisnike të dijes  dhe në   luftën e tyre për barazi gjinore.  

By admini